E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori, magji afrikano-jugore



Leonard Karaj

Një komb, 10 stadiume, 32 kombëtare, 32 ditë, 64 ndeshje 570 mijë spektatorë, mbi 3 miliardë telespektatorë dhe më shumë se 1 miliardë euro të parashikuara të shpenzohen vetëm nga ata që do të jenë protagonistë në fushë dhe në shkallët e stadiumeve.Afrika e Jugut do të hyjë sot në histori si shteti i parë i kontinentit afrikan që pret një eveniment kaq madhështor si Kupa e Botës. Që prej 15 majit të 2004-ës kur u mor vendimi nga FIFA për organizimin e Botërorit, Afrika e Jugut ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për investimet e mëdha që u vunë në dispozicion të këtij vendi, kryesisht për stadiumet dhe infrastrukturën por edhe për sigurinë dhe seriozitetin e këtij vendi përkundrejt asaj që kërkohet në raste të tilla të një evenimenti mbarë botëror.
Botërori i 19-të starton sot në orën 15:30 me ceremoninë e hapjes dhe 30 minuta më pas me ndeshjen e parë, atë mes Afrikës së Jugut dhe Meksikës. Pritësit e turneut luajnë përpara tifozëve të tyre, në një atmosferë tejet elektrizuese në stadiumin e Johanesburgut. Në këtë impiant rikonstruktuar rishtazi priten të jenë mbi 90 mijë tifozë, shumica prej tyre të "armatosur" me vuvuzela (trumbeta të gjata dhe të zhurmshme). Ndeshja e parë do të ndiqet edhe nga një numër i madh personalitetesh që do të jenë aty për ceremoninë e hapjes. Ajo do të gjykohet nga arbitri nga Uzbekistani, Ravshan Irmatov. Ndërkohë festimet për këtë Botëror kanë nisur që mbrëmjen e djeshme nëpër rrugët e Johanesburgut por siparin zyrtarisht do ta ngrejë këngëtarja kolumbiane Shakira, e cila do t'i japë startin eventit, me hitin e saj "Waka, Waka". Ndërkohë, në orën 20:30 Franca do të ndeshet me Uruguajn në ndeshjen e dytë të këtij evenimenti.
Një event i tillë ka edhe një shtrirje të madhe mediatike, thuajse në çdo cep të botës. Sipas FIFA-s për këtë Botëror deri ditën e djeshme ka pasur më shumë se 15 mijë akreditime nga gazetarë të mediave më të fuqishme në mbarë globin. Rreth 11 mijë prej tyre kanë zbarkuar prej disa ditësh në shtetin afrikan duke sjellë edhe atmosferën para nisjes së këtij eventi. Ndërsa më shumë se 4 mijë të tjerë pritet që të shkojnë në Afrikën e Jugut vetëm për ndeshje të veçanta, kryesisht ato në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalen e 11 korrikut. Ndërsa mbetet i pakontrollueshëm numri shumë i madh i fotoreporterëve të cilëve as që u është dashur një akreditim për të fiksuar në foto Botërorin 2010.
Deni Xhordan, kreu i Komitetit Organizativ të Kupës së Botës, thotë se në momentin që të shkelmohet topi i parë do t'i mbushen sytë me lot për atë që konsiderohet ëndrra 16- vjeçare e një kombi apo edhe gjithë kontinentit. 58-vjeçari është lektor në Universitet dhe një aktivist i flaktë i luftës kundër aparteidit. "është e pabesueshme të mendosh se që nga nesër (sot) ne do të mund të flasim për Kupën e Botës këtu. Ne ndërtuam gjithçka premtuam, stadiumet janë gati, aeroportet të ndërtuara, ashtu si edhe trenat e shpejtësisë apo infrastruktura", pohon ai. Sipas tij, dita e sotme kurorëzon pikën më të lartë në historinë e këtij vendi, madje duke e barazuar atë me zgjedhjen e Nelson Mandelës si presidenti i parë me ngjyrë.
Kampionati, të cilin shumë persona e shihnin si të rrezikshëm fillon sot, ndërsa se si do të rrjedhë ajo mbetet për t'u parë në 30 ditët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›