Investimi i OST, Tirana 14 orë kufizime të kombinuara energjie
nertila maho
Kryeqyteti do të vuajë për katër ditë ndërprerjen e energjisë për 14 orë, por këto ndërprerje do të jenë të kombinuara. Sipas drejtorit të OST, Ymer Balla, punimet në linjat përkatëse do të sjellin edhe mungesë të energjisë, por kjo do të organizohet në mënyrë të tillë që të mos krijohen probleme. “Sipas programit të punës dhe realizimit të projekteve të mëdha që OST po kryhen në sistemin e transmetimit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, bën të ditur se, do të kryejë punime të planifikuara në nënstacionin e ri 400/220/110 kV ‘Tirana 2’ si dhe në linjën 400 kV Elbasan - Tiranë – Podgoricë”, informoi drejtori Balla. Më në detaje ai shpjegoi se për punimet që do të kryhen në linjën 400 KV Tiranë-Podgoricë, është planifikuar dhe rakorduar stakimi linjave sipas orareve përkatëse, kryesisht ditën. Linja që përfshin kryeqytetin është parashikuar që të ketë stakime për katër ditë rresht nga data 11 deri në datë 14 qershor në hapësirën nga ora pesë e mëngjesit deri në orën shtatë të mbrëmjes. Ndërsa stakimet në linjën dyfishe Koman–Elbasan do të vijojnë për gjashtë ditë nga data 15 qershor deri në 20 qershor në të njëjtën orar me linjën e parë. Drejtori i Përgjithshëm, Ymer Balla, sqaroi se ky proces punimesh do të shoqërohet me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, kryesisht gjatë orëve të ditës, deri në masën 20 për qind të konsumit të përgjithshëm. “Kjo do të bëhet për të mbajtur në parametra të pranueshëm Sistemin Elektroenergjetik Shqiptar, i cili gjatë kësaj periudhe do të jetë në kushte jo të sigurta pune. Ndërprerjet e energjisë do të jenë kryesisht në zonën e Shqipërisë së Mesme dhe në jug të vendit”, theksoi Balla. Gjithsesi nga ana e OST bëhet e ditur se pavarësisht ndërprerjeve të energjisë për shkak të punimeve 14 orë, nuk duhet të kuptohen si ndërprerje totale. Kjo hapësirë kohore që planifikohet të ketë mungesë energjie do të aplikohet e kombinuar. Nëse marrim Tiranën si shembull nga ana e OST konfirmohet se ndërprerjet do të përfshijnë në orare të ndryshme lagje të ndryshme, por kjo në vartësi të kryerjes së punimeve dhe momenteve të ditës, pasi duhet shmangur ngarkesa e tepërt në linja. Gjithsesi, Operatori i Sistemit të Transmetimit bën me dije se aktualisht nuk ka një hartë për pasqyrimin e saktë të orareve të mungesës së energjisë që do të aplikohet për lagjet e kryeqytetit, por nga ana tjetër kërkon mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve për këtë situatë.