Rikthehet treni elektrik,BERZH: Gati projekti i ri
Në kohën kur Shqipëria duhet t’i paguajë një shumë të majme kompanisë “General Electric” për prishjen e njëanshme të kontratës për “trenin elektrik”, del sërish në skenë një tjetër projekt. Gjatë takimit të Kryeministrit Sali Berisha me Drejtorin për vendet e Ballkanit Perëndimor të BERZH, Caludio Viezzoli, një nga pikat më interesante të bisedës ishte edhe ajo lidhur me hekurudhën Tiranë-Durrës. Viezzoli, i cili vlerësoi progresin pozitiv të bashkëpunimit me Qeverinë shqiptare, informoi dje për zgjerimin e këtij bashkëpunimi me financimin e projektit për studimin e fizibilitetit të projektit të hekurudhës Tiranë– Durrës, i cili do të përfshijë edhe aeroportin e Tiranës. Kryeministri Berisha përshëndeti këtë vendim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga ana tjetër i kërkoi Viezzolit mundësinë e zgjerimit të këtij studimi, në mënyrë që të përfshijë edhe zonën e Golemit. Kjo në fakt nuk është aspak e re, sepse edhe kur u kontaktua “General Electric” për të njëjtën çështje projekti parashikohej të përfshinte edhe zonën e plazhit, madje vetë Berisha më vonë ka kërkuar shtrirjen e hekurudhës deri në Kavajë. Në atë kohë një nga aktorët e rëndësishëm ishte Banka Botërore, e cila tregoi mjaft interes për studimin e fizibilitetit të projektit. Më pas projekti u anulua me ardhjen në pushtet të maxhorancës aktuale dhe kjo përfundoi në një sërë gjyqesh ku së fundmi Arbitrazhi i dha të drejtë GE, të cilës shteti shqiptar duhet t’i paguajë 12 milionë euro. Pavarësisht kësaj, duket se Qeveria ka vendosur që ndër prioritetet e saj në sektorin e transporteve të përfshijë edhe hekurudhën Tiranë-Durrës, projektin e së cilës do ta financojë BERZH.