E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli, opinioni publik dhe heshtja e globalizmit

Enri Hide*

Përpara një jave, Izraeli ndërhyri në ujërat ndërkombëtare disa milje larg ujërave të tij territoriale, në disa anije që po dërgonin ndihma në Rripin e Gazës, të izoluar prej forcave izraelite prej disa kohësh e të vendosura nën një bllokadë totale, jo vetëm ekonomike. Opinioni publik botëror mbeti i ‘shokuar’ nga ashpërsia e ushtrisë izraelite, ndërsa mediat më në zë globale e përcollën lajmin me shumë shqetësim. çuditërisht, një sipërmarrje e tillë e ushtrisë izraelite vura re se po fillonte të diskutohej edhe në vendin tonë, kryesisht sidomos midis studentëve të mi të shkencave politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mesa duket, brezi i ri, i mbrujtur disi më shumë me idetë e globalizimit ekonomik e politik, po fillon të shfaqë më shumë interes për botën që na rrethon, dhe kjo duhet të na kënaqë. Por problemi nuk shtrohet vetëm në rrafshin e impaktit që kjo ngjarje ka tek opinioni publik. Fillimisht në fakt, vetëm për këtë lloj impakti bëhej fjalë, sepse, sikundër do përpiqem të sqaroj në vijim, Izraeli nuk ndjen e as percepton ndonjë kërcënim të mirëfilltë ushtarak nga bota arabe. I vetmi aspekt dobësie që mund të konstatohej në gjithë këtë mesele të ushtrisë dhe lidershipit politik izraelit, të mbështetur a posteriori nga zv/presidenti amerikan, ishte humbja e jashtëzakonshme e legjitimitetit të Izraelit në opinionin publik botëror. Por edhe kjo nuk duhet të përbëjë habi. Izraelit nuk mund t’i interesojë dhe nuk i ka interesuar ndonjëherë opinioni publik arab për dy arsye: e para sepse opinioni publik në vendet arabe, të cilat në shumicën e tyre janë shtete autokratike (disa madje teokratike), nuk ka asnjë impakt dhe/ose vlerë në politikën e jashtme (për shumë arsye që nuk mund t’i shpjegoj dot këtu); dhe, e dyta, sepse gjithnjë ky opinion publik ka qenë kundër Izraelit, që prej themelimit të shtetit të këtij të fundit. Nga ana tjetër, Izraeli përgjatë historisë së tij, nuk ka bërë ndonjë përpjekje domethënëse për të fituar ‘zemrën’ e opinionit publik botëror. Nuk ka qenë ky qëllimi parësor i veprimeve politike, ushtarake e strategjike të Izraelit. Qëllimi parësor ka qenë garantimi i ekzistencës së shtetit hebre, i jetës së qytetarëve të tij dhe preokupimi për të ruajtur epërsinë strategjike/ushtarake në Lindjen e Mesme, sidomos duke ruajtur aleancën me Shtetet e Bashkuara.
Për rrjedhojë, ato që duhen analizuar janë aspektet strategjike të balancës së fuqisë në Lindjen e Mesme: jo impakti në opinionin publik, por pasojat e mundshme që mund të ketë ngjarja e javës së kaluar për marrëdhëniet midis Izraelit dhe Turqisë në aspekt strategjik. Këtu, për të sqaruar opinionin tonë publik, duhet të përmendim se bëhet fjalë për të vetmin partner strategjik të Izraelit në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, me të cilin marrëdhëniet politike, ekonomike e sidomos ato ushtarake kanë qenë shumë të ngushta. Sa i takon marrëdhënieve Turqi-Izrael, ia vlen të theksohen dy aspekte politiko-strategjikë. I pari ka të bëjë me politikën e brendshme turke. Kjo e fundit, gjatë këtyre pak viteve që Erdogan dhe partia e tij ndodhet në pushtet, ka pasur prirjen që të distancohet nga marrëdhënia e ngushtë me Izraelin, për shkak të impaktit negativ në elektoratin islamik të partisë së Erdoganit. Nga ana tjetër, ajo që e ka nxitur gjithnjë politikën e jashtme turke të promovojë marrëdhënie të ngushta me Izraelin, ka qenë kasta dhe elita ushtarake, laike dhe ataturkiste. Kësisoj, për Erdoganin dhe partinë e tij raste të tilla janë një mundësi e mirë që mund të shfrytëzohet politikisht dhe elektoralisht brenda vendit. Aspekti i dytë ka të bëjë me politikën e jashtme turke dhe atë izraelite. Marrëdhëniet midis dy vendeve, edhe pse do të ishte gabim të arsyetohej se do të prishen përfundimisht, nuk mund të fshihet se kanë degraduar në pikën më të ulët të kurbës, që prej themelimit të shtetit të Izraelit.
Por cilat janë kërcënimet reale për këtë të fundit, nëse ka të tilla? Sikurse, e përmendëm më sipër, kërcënimi i vetëm të cilit Izraeli i druhet është ai ushtarak. Por ky lloj kërcënimi nuk vjen nga vende jashtë rajonit, pasi do të ishte e paimagjinueshme që vendet përtej Lindjes së Mesme të bashkoheshin e të ndërmerrnin sulme ushtarake kundër shtetit hebre. Gjithashtu, sikurse u vu re disa ditë pas sulmit izraelit mbi anijet me ndihma, që ishin drejtuar për në Rripin e Gazës, Shtetet e Bashkuara konfirmuan, ndonëse me gjysmë zëri fillimisht, të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, duke argumentuar se në ato anije mund të ndodheshin armë që do të përdoreshin më pas nga elementë terroristë në Gaza kundër popullsisë izraelite. Pra, Shtetet e Bashkuara, në sajë edhe të ndikimit të menjëhershëm të lobit hebre në Uashington, nuk ka gjasa të mbështetin asnjë iniciativë të Këshillit të Sigurisë të OKB-së kundër Izraelit, në formën e ndonjë embargoje apo sanksionesh politike. Fatkeqësisht për Turqinë, e cila aktualisht gëzon një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurisë, vetoja amerikane do të vijojë të pengojë çdo iniciativë kundër Izraelit. Por kjo nuk duhet ta habisë Turqinë. Kjo nuk duhet të habisë as vendet arabe. Kjo nuk duhet të habisë askënd. Këshilli i Sigurisë nuk ka miratuar kurrë asnjë rezolutë që t’i kundërvihet Izraelit dhe politikave të tij. Kjo është politika ndërkombëtare dhe duhet parë siç është, e jo siç duhet të jetë.
Por, përveç Turqisë, duhet marrë në konsideratë edhe çështja bërthamore e Iranit. Ky i fundit argumenton se i intereson vetëm energjia bërthamore për qëllime civile, ndërsa SHBA dhe aleatët e tyre argumentojnë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. Ky është një nga debatet kyçe sot në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk dua t’i them sot, këtu, e aq më tepër ndërsa nuk ka ndonjë rezultat konkret. Ajo që na intereson në këtë aspekt është fakti se një armë bërthamore në duart e Iranit do të ndryshonte rrënjësisht balancën strategjike në Lindjen e Mesme, doktrinat kryesore të politikës së jashtme të fuqive të rajonit, por edhe të botës në raport me rajonin, e kështu me radhë. Izraeli i druhet një situate të tillë; dhe ka të drejtë. Kjo mund të shpjegohet përmes prizmit historik të kërcënimeve me të cilat është përballur populli hebre. Brezat e parë të shtetasve izraelitë jetuan me kërcënimin e përditshëm të një disfate ushtarake nga fqinjët. Pas tre luftërave totale (1948-49, 1967 dhe 1973), asaj të Kanalit të Suezit 1956, një lufte tjetër ‘quasi’ totale (Liban, 1982) dhe dhjetëra ndërhyrjeve të tjera në rajon, pa përmendur këtu ndërhyrjet e panumërta në territoret palestineze, është e kuptueshme përse shteti i Izraelit i percepton kërcënimet ushtarake si rrezikun numër një për të, sidomos kur përball ka një gjigant radikal e me prirje hegjemonike në rajon, si Iranin.
Duke kapërcyer Iranin dhe historinë e luftërave arabo-izraelite, mbërrijmë në kontekstin aktual strategjik në të cilin operon Izraeli, një kuadër mjaft i favorshëm për të, pasi, mbi të gjitha, në horizont nuk shfaqet asnjë mundësi reale kërcënuese, përjashto Iranin, nga fqinjët. Kjo ndodh sepse fqinjët arabë të Izraelit nuk kanë asnjë shans të ndërtojnë ndonjë koalicion, qoftë dhe të pjesshëm kundër tij. Kësisoj, arma më e rëndësishme strategjike në duart e Izraelit është, çuditërisht, përçarja e përjetshme e botës arabe. Mungesa e këtij kërcënimi dhe e perspektivës së aleancës mes arabëve kundër Izraelit, e bën më të lirshme e të shpenguar politikën e jashtme izraelite, duke marrë përsipër madje edhe kostot e humbjes së legjitimitetit global të kauzës së popullit hebre, nga një ndërhyrje e tillë si ajo që pamë javën që shkoi. Kësaj duhet t’i shtohen edhe përçarjet mes palestinezëve, të dystuar midis të moderuarve të Fatahut dhe radikalëve të Hamasit. Fatahu dominon në Bregun Perëndimor, Hamasi në Rripin e Gazës. Përveç ndarjeve gjeografike të imponuara nga jashtë, palestinezët duhet të përballen edhe me ndarjet politike brenda tyre. Kjo e bën shumë të turbullt zërin palestinez, në mbrojtje të çështjes së tyre, dhe shumë të dystuar cilëndo sipërmarrje të politikës së jashtme të popullit palestinez. Elementi i fundit që e komplikon, e përçan edhe më shumë peizazhin politik palestinez, por edhe pan-arab, është qëndrimi i ndryshëm historik dhe aktual i shteteve të tjera arabe ndaj palestinezëve. Egjipti i kundërvihet Hamasit, për shkak të radikalizmit që e karakterizon këtë lëvizje palestineze e që i ka rrënjët historike dhe lidhjet e sotme te vëllezërit myslimanë, lëvizje islamike egjiptiane, e cila me kohë nuk është lejuar as të marrë pjesë në sistemin zyrtar politik (ndonëse kjo ka ndryshuar kohët e fundit). Nga ana tjetër, Jordania shfaq mosbesim të theksuar ndaj Fatahut, për shkak të historisë së lëvizjes brenda Jordanisë (në 1970-të, Arafati në krye të Al Fatah-ut u përpoqën të hidhnin monarkinë hashemite në Jordani – rezultati: 10.000 të vdekur palestinezë). Siria interesohet shumë më tepër për Libanin (dhe Hejzbollahun) sesa për palestinezët. Sauditët nuk mund të harrojnë përpjekjet e Organizatës për çlirimin e Palestinës për të hedhur regjimin e tyre. E kështu me radhë. Nuk mjaftojnë kaq pak rreshta gazetash për të përshkruar një histori tejet të gjatë konfliktesh të përgjakshme të Lindjes së Mesme.
Në këtë kontekst tejet të komplikuar, izraelitët duket se i kanë bërë me tepër kujdes përllogaritjet e tyre diplomatike e strategjike. Mesa duket, kostoja diplomatike dhe e opinionit publik global rezulton më e ulët sesa përfitimet nga veprimi agresiv në ujërat ndërkombëtare, duke shkelur me të dyja këmbët të drejtën ndërkombëtare në shumë aspekte të saj. Fuqia dhe përdorimi i saj duket se do të mbeten për shumë kohë monedha kryesore e marrëdhënieve ndërkombëtare të Lindjes së Mesme.

*Autori është pedagog i
Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›