Botërori më i mirë

Brazili synon të eliminojë problemet e mëdha që kërcënojnë përgatitjet e tij për Kampionatin botëror 2014, duke u zotuar se do të jetë gati si nikoqir i ngjarjes kryesore të futbollit dhe se do të jetë botërori më i mirë në histori.
Telashet e shumta – përfshirë bojkotin nga punëtorët e angazhuar në renovimin stadiumeve, betejën ligjore rreth zgjerimit të aeroportit më të madh në vend, përplasjet e armatosura me policinë në periferi të Rios dhe akuza për korrupsion – janë duke peshuar rëndë mbi mendjen e FIFA-s, tifozëve të futbollit, sponsorëve dhe politikanëve.
Telashet po ashtu japin shenja brengosëse për Brazilin, që është edhe nikoqir i Lojërave Olimpike 2016. “Vetëm duke punuar së bashku do të jemi në gjendje të tejkalojmë pengesat dhe shfaqim Kampionatin botëror më të mirë ndonjëherë”, tha ministrja e planifikimit, Miriam Belchior.
Ministri i Sportit, Orlando Silva, ka pranuar brengat në punën rreth përmirësimit të infrastrukturës që ajo të jetë në gjendje të pranueshme për fillimin garës. “Stadiumet dhe aeroportet janë elemente të rëndësishme të këtij Kampionati botëror”, tha ai duke shtuar se kjo e fundit “tashmë është çështje e zgjidhur”.
Kur Brazili e fitoi të drejtën e nikoqirit për Kampionatin botëror më 2007, gjithçka dukej pozitive. Shteti më i madh ekonomik i Amerikës së Jugut i njohur për samba dhe futboll, ambicioz dhe i gatshëm të dëshmojë kualitetet e tij para mbarë botës. Sot, Brazili përgatitet për prekjen e pashmangshme të krizës financiare që ka goditur Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, andaj pozita e tij ka ndryshuar.
Stadiumet rreth vendit konsiderohen jo në gjendje të mirë dhe duhet të rinovohen ose në disa raste si ai kryesori në San Paulo, ku do të zhvillohet ndeshja e parë dhe një tjetër në qytetin e Natalit duhet të ndërtohen nga fillimi. Nëntë stadiume duhet të kompletohen deri në dhjetor 2012. Teatri më i famshëm i Brazilit për futboll, stadiumi Maracana në Rio de Janeiro, ku pritet të zhvillohet finalja e Botërorit është në qendër të një konflikti të punës. Punëtorët atje janë në grevë dhe kërkojnë rritje të pagës.
Grevat e kohëpaskohshme edhe në qytetet e tjera të mëdha si Belo Horizonte dhe Salvador de Bahia po ashtu kanë dhënë shenja brengosëse. Edhe rrugët mes stadiumeve nuk janë në gjendje të mirë, ndërsa aeroportet nuk janë në gjendje të përballojnë fluturimet aktuale e aq më tepër kërkesat e një Kampionati botëror ose Olimpiade. Gjendja e përgjithshme ka shkaktuar brenga në shumë sfera. Por, FIFA ka dhënë përkrahjen e saj duke shprehur besimin se Brazili nuk do të zhgënjejë.