E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gasperini nuk ka faj

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se nuk do ta shkarkojë trajnerin Gian Piero Gasperini, pas humbjes befasuese nga Trabzonspor me rezultat 0-1 në Ligën e Kampionëve. Ndërsa strategu italian thekson se askush nuk ndërhyn në punën e tij dhe beson se skuadra do të gjejë fuqi për të reaguar. Nga Express më 16 shtator 2011 në ora 09:06

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka përjashtuar mundësinë e shkarkimit të trajnerit Gian Piero Gasperini, pavarësisht fillimit katastrofal të sezonit. Inter e përcolli humbjen e së dielës 4-3 nga Palermo në Serie A me një tjetër disfatë të papritur 1-0 në shtëpi nga autsajderët Trabsonspor në Ligën e Kampionëve.

Kjo ka lënë Gasperinin nën presion vetëm dy ndeshje pas fillimit të karrierës së tij në Inter. Por, Moratti insiston se nuk do të merr vendime të menjëhershme. “Sigurisht, nuk do të ketë ndryshime në ditët e ardhshme e sidomos për faktin se ekipi nuk luajti keq kundër Trabzonsporit”, tha Moratti para gazetarëve të enjten.

“Ndoshta nuk luajtën me ritëm të lartë, ndoshta ata nuk i kishin këmbët për të fituar, por nuk mund të vëni fajin vetëm mbi trajnerin. Ne nuk mund ta vëmë gjithmonë në dyshim, jepini kohë trajnerit të bëjë punën e tij. Për tani krejt çka mund të bëjmë është të presim. Kemi ndryshuar sistemin dhe për momentin është duke ndikuar në lojën tonë”, shtoi kreu i Nerazzurrëve.

Moratti mohoi që pozita e Gasperinit të jetë e rrezikuar, por ishte kategorik në përgjigjen e tij në pyetjen rreth sistemit defensiv. Gasperini aktivizoi tre mbrojtës kundër Palermos dhe u përball me kritika të ashpra nga mediet, duke e lënën nën presion të ndryshojë.

Ai ktheu katër mbrojtës kundër Trabzonsporit dhe i pyetur nëse preferoi këtë, Moratti ishte bindës: “Po”, tha ai. Ndërsa Gasperini mohoi të ketë qenë i detyruar të bëjë ndryshime në repartin defensiv.

“Askush nuk më detyroi të caktoj një formacion ose tjetrin, ky është një trillim, krejt çka kam bërë është se jam munduar të korrigjoj gabimet (nga e diela)”, tha Gasperini i hidhëruar.

“Humbja duhet të zgjojë reagimin. Sezoni sapo ka filluar dhe ne duhet të gjejmë fuqi për të reaguar”, deklaroi ish trajneri i Genoas. Inter përballet me një tjetër skuadër në mini-krizë të dielën në ligë, derisa Roma viziton Giuseppe Meazza. Ata e filluan sezonin e ri në Serie A me humbje 2-1 në shtëpi nga Cagliari duke lënë në dyshim edhe trajnerin e tyre të ri, Luis Enrique. Ndërsa Inter vazhdon fushatën në Ligën e Kampionëve me udhëtim te CSKA Moska më 27 shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›