E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy skuadrat e Mancesterit barazime ne ndeshjet e mbremshme te Liges

Mbrëmja e së mërkurës u quajt me emrin që i takon. Trajnerët e skuadrave të Champions League-s u kënaqën me spektaklin e një nate të vërtetë europiane. Sër Aleks Ferguson, trajneri i Mançester Junajtid, është i kënaqur me barazimin në fushën e Benfikës.

“Mendoj se zotërimi i topit nga ana jonë në pjesën e parë ishte më shumë seç duhet i kujdesshëm. Kjo të jep kontroll të ndeshjes, por jo fitoren. Por, pasi Gigs shënoi, ne luajtëm shumë më mirë. Ne patëm raste në pjesën e dytë, thjesht nuk arritëm të shënonim. Në tërësi, ishte një mbrëmje shumë e mirë europiane, një atmosferë e mirë, një fushë e shkëlqyer dhe dy skuadra me histori. U kënaqa me ndeshjen, ishte një spektakël”.

Kolegu i tij, trajneri i portugezëve Zhorge Zhezus, në të kundërt nuk është i kënaqur me rezultatin.

“Shpresoja të ishte një ndeshje e madhe, ashtu siç edhe ndodhi. E dija se do të luanim ndaj njërës prej 3 skuadrave më të mira të botës, por e dija edhe se Benfika ka vlera, një skuadër me lojtarë të cilësisë së lartë. Ne luajtëm mirë taktikisht. Do të kishte qenë e rëndësishme të kishim marrë 3 pikët, por ia dolëm të merrnim vetëm 1. Nuk jam i kënaqur që morëm vetëm një pikë, por jam i kënaqur me lojën e skuadrës”.

Skuadra tjetër e Mançesterit, pra Siti luajti në fushën e saj dhe barazoi 1-1 ndaj Napolit. Ndoshta një zhgënjim për tifozët, por trajneri Mançini thekson faktin se kjo ishte ndeshja debutuese e të tijve në Champions.

“Ishim shumë nervozë para ndeshjes. Të gjithë lojtarët donin ta fitonin ndeshjen, ndoshta të gjithë donin të shënonin. Por, nëse do të kishim luajtur më thjesht, do të kishim luajtur më mirë. Gjithsesi, ishte ndeshja jonë e parë dhe ne u kënaqëm. Të gjithë lojtarët dhanë 100 për qind ndaj Napolit, që është një skuadër e mirë. Nuk kam thënë që ne jemi si Barça. Mendoj se duhet të përmirësohemi si skuadër. Nëse luajmë më mirë, mund të shënojmë më shumë dhe të mos i lejojmë mundësi të tjerëve”.

Drejtuesi teknik i italianëve, e quan barazimin rezultat shumë të mirë, veçse shton se mund të ishte marrë më shumë.

“Jam i kënaqur sepse kundërshtari ynë është një skuadër e madhe. Isha shumë i lumtur kur ishim në epërsi 1-0. U kënaqa shumë në pjesën e dytë, kur ne krijuam shumë raste, ndoshta lojtarët u treguan më shumë egoistë seç duhet. Ne mund të kishim shënuar një gol tjetër dhe të ktheheshim në shtëpi me fitore”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›