E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori si kopsht zoologjik, pretendentët janë grabitqarë

Kupa e Botës 2010 Gazeta suedeze “Dagens Nyheter” zbavitet duke krahasuar 32 skuadrat pjesëmarrëse me kafshët

Botërori 2010 është si një kopsht i madh zoologjik. Suedia (kundërshtare në eliminatore me Shqipërinë) nuk arriti të kualifikohej në aktivitetin madhor, por e përditshmja e këtij vendi, “Dagens Nyheter” është zbavitur duke krahasuar 32 përfaqësueset pjesëmarrëse me kafshët që zakonshëm popullojnë zonat e Afrikës së Jugut. Mes “grabitqarëve” janë renditur Brazili, Argjentina, Spanja, Gjermania e Holanda, skuadrat që cilësohen si kandidatet kryesore për të fituar Kupën e Botës në këtë edicion. “Seleçao”, e drejtuar nga Karlos Dunga, është një “luan, i cili ka nevojë për organizim dhe bashkëpunim që të arrijë rezultatet e dëshiruara”. Ndërkohë, Argjentina është si një “buall, një kafshë e fortë, që jo shumë mishngrënëse guxojnë ta sulmojnë. Luani është armiku i tij më i keq”. Për “peshën” dhe eksperiencën që ka, Gjermania krahasohet me një elefant, ndërsa Spanja është një “leopard që lëviz shumë shpejt dhe plot elegancë”. Italia, kampione e botës në fuqi, krahasohet me një “rinoceront, që spostohet me ritmin e saj, por bëhet më vigjilente kur afrohet. Një kafshë e aftë të ecë në rrugën e saj”. Mes grabitqarëve ndodhen edhe Holanda (një hienë) dhe Portugalia (një gepard). Afrika e Jugut është një “zebër, zbavitëse me vijat e saj, por një gjah i lehtë”, Nigeria është shqiponjë, ndërsa Anglia “krokodil, i madh dhe i rëndë, por i zhdërvjellët edhe në tokë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›