E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi vallëzues, një efekt i lartësisë mbi nivelin e detit

Kuriozitet

Botërori i futbollit në Afrikën e Jugut mund t’u “ngrejë kurth” shumë skuadrave pjesëmarrëse, pasi lartësia e madhe mbi nivelin e detit që kanë shumë stadiume ku do të zhvillohen ndeshjet, shkakton probleme në lëvizjen e topit. Në fakt, aerodinamika e “Jabulani”-t, sferës që ka shkaktuar pakënaqësi te shumë prej futbollistëve pjesëmarrës, ndryshon sipas lartësisë. Kjo ndikon në mënyrë të dukshme edhe në trajektoren e goditjeve. Sipas revistës, “New Scientist”, nuk është hera e parë që diskutohet për problemet që fushat në lartësi të mëdha mbi nivelin e detit shkaktojnë te futbollistët dhe te “sjellja” e topit: ngjarja e parë lidhet me një ndeshje të luajtur në Bolovi në vitin 2007, në afro 4000 metra lartësi. Edhe pse në Afrikën e Jugut stadiumet ndodhen në terrene jo kaq malore, stadiumi i Johanesburgut, për shembull, ndodhet në 1701 metra. Në të kaluarën, FIFA ka organizuar një konventë, ku u diskutua rreth problemeve që shkakton lartësia. Duke nisur nga 500 metra mbi nivelin e detit, lojtarët fillojnë të shfaqin probleme: paraqitja e tyre nuk është në nivelin e pretenduar, pasi rriten rrahjet e zemrës, kanë probleme me frymëmarrjen dhe bie rezistenca. Por, sportistët mund të kapen në kundërsulm nga aerodinamika e topit. Në lartësi të mëdha, ajri bëhet më i rrallë dhe sfera merr më shumë shpejtësi. Ndryshimi është mbresëlënës: një gjuajtje e ngjashme, e ekzekutuar në dy lartësi të ndryshme, nuk ka të njëjtin rezultat. Për shembull, nga një tentativë prej 18 metrash në Johanesburg topi mund të godasë traversën, ndërsa në nivelin e detit ai do të përfundonte në rrjetë. Në këtë rast, gjithçka lidhet me faktin se në stadiume që ndodhen në ultësira, topi ka shpejtësi më të ulët dhe arrin të ulet në kohë pikërisht poshtë traversës. Me fjalë të tjera, sfera i afrohet portës në momentin kur ndodhet në fazën e uljes.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›