Botërori, sot Angli- SHBAmasa ekstreme nga frika e sulmeve
JOHANESBURG- Masa tepër të forta sigurie për sfidën e parë të grupit C, atë mes Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të luhet sot në mbrëmje. Policia e Afrikës së Jugut ka qenë në stadiumin e Rustenburgut që në mëngjesin e së premtes, duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme dhe duke vëzhguar me imtësi çdo detaj. Siguria është një nga dyshimet më të mëdha për Botërorin afrikano-jugor, e sidomos për dy vende si Amerika dhe Anglia. Hapësira ajrore e stadiumit “Fokeng” është patrulluar nga helikopterët ushtarakë përgjatë gjithë ditës, ndërsa FIFA dhe autoritetet e Afrikës së Jugut janë duke bashkëpunuar edhe me agjencitë e huaja dhe Interpolin për sigurinë e Botërorit. Sipas ekspertëve, grupet terroriste apo organizatat kriminale nuk mund të sulmojnë kurrë në evente të tilla kaq të kontrolluara. Ndërkohë qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka konsideruar si të rrezikshëm udhëtimin për në Afrikën e Jugut, kur pak kohë më parë autoritetet në Irak arrestuan një tifoz që deklaronte se po mendonte sulme gjatë Kupës së Botës.
(Altin Latifi/balkanWeb)
(Altin Latifi/balkanWeb)