E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botimet e reja arkeologjike shqiptaro-franceze

Autori i Lajmit: red.
Instituti arkeologjik i Qendrës së Studimeve Albanologjike organizoi të martën në mjediset e Muzeut Arkeologjik në Tiranë, një veprimtari shkencore me rastin e hapjes së fushatës së gërmimeve arkeologjike për vitin 2008, si dhe të promovimit të botimeve arkeologjike të përbashkëta shqiptaro- franceze. “Hyrje në historinë e Antikitetit” të Pierre Cabanes, përkthyer në shqip, “Mbishkrimet e Butrintit” me autorë Pierre Cabanes dhe Faik Drini, dhe “Apolonia e Ilirisë, atlas arkeologjik dhe historik”, me disa bashkautorë nën kujdesin e specialistëve të kësaj fushe, shqiptarë dhe francezë, Vangjel Dimos, Filip Renhardt dhe Fransua Kuantin, tërhoqën jo vetëm arkeologët, por dhe studiues shkencorë dhe historianë. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, ambasadorja e Republikës Franceze në Tiranë, Maryse Daviet, Rajmond Kafort, këshilltar i bashkëpunimit dhe veprimtarisë kulturore në ambasadën franceze, Pier Kabanes, themelues i misionit arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri, studiues dhe arkeologë shqiptare dhe francezë, etj. Në fjalën e rastit, drejtoresha e Institutit arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, dr. Shpresa Gjongecaj, vuri në dukje se botimi i tre punimeve të rëndësishme të arkeologjisë dhe të historisë së Antikitetit, të cilat do të pasohen nga vëllime të tjera, janë fryt i një bashkëpunimi, tashmë me traditë, midis studiuesve shqiptarë dhe atyre francezë. “Këto punime të reja, theksoi Gjongecaj, janë dëshmi e qartë se bashkëpunimi në fushën e kërkimeve arkeologjike është në rrugë të mbarë dhe se meriton të mbështetet me të gjitha mundësitë në të ardhmen”. Me këtë rast, në ambientet e Muzeut Arkeologjik u paraqit edhe një ekspozitë fotografike me pamje nga gërmimet e viteve të fundit në qendrat arkeologjike të Shqipërisë, e shoqëruar me një hartë ku paraqiten qendrat arkeologjike ku do të gërmohet gjatë vitit 2008 nga ekspedita të përbashkëta si në Koman, Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë, Apoloni, Bylis, Korçë, Orikum, Antigone, Finiq, Sarandë, Butrint, etj.

Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›