E Shtunë, 31 Tetor 2026

TKOB pritet të zgjohet më 18 qershor

Autori i Lajmit: Fabiola Kurteshi
Në operën me dy akte do të jenë të ftuar solistët Françesko Pani, Ergys Mita, Simone D Eusanio, Kreshnik Zhabjaku dhe Aleksandër Stefanosk
Teatri Kombëtar i Operas dhe i Baletit ka disa javë që ka rënë në heshtje të plotë. Kalendari i tij ka përcaktuar një premierë e cila do të ngjitet në skenë më 18 qershor, por, me sa duket, asnjë provë nuk ka filluar për këtë shfaqje. Opera me dy akte “Berberi i Seviljes” pritet të ngjitet premierë në këtë skenë, e cila ka ngelur bosh që pas “Udhëtimit të Arbërit”, shfaqjes disadiore me pjesë nga folklori shqiptar. Vepra e shkruar nga kompozitori Gioachino Rossini, i shtohet sezonit të pasur të aktiveve artistike në operën shqiptare. Opera me dy akte e kompozitorit Rossini do të vijë si premierë për publikun me libret të shkruar nga Çezare Sterbini. Regjia do të jetë nga Nikolin Gurakuqi, skenografia nga Genc Shkodrani, kostumografia do të realizohet nga Anila Zajmi, dirigjent kori është Dritan Lumshi, as/dirigjent Simone Luti, mjeshtër koncertues Vitorio Parisi. Nuk do t i mungojnë kësaj premiere dhe emra të tjerë të artit që janë të njohur për interpretimin e tyre në skena shqiptare dhe botërore. Opera me dy akte “Berberi i Seviljes” që pret të ngjitet në skenën shqiptare në datën 18 qershor do të jetë një prej shfaqjeve, e cila do të sjellë gjallëri në metropolin shqiptar. Artdashësit e operave do të kenë mundësi që për disa ditë të ndjekin një prej veprave më të mira të kompozitorit Rosini. Regjisori Nikolin Gurakuqi vjen me “Berberin e Seviljes” pas premierës tragjike “Trovatore” që vetëm pak javë më parë u ngjit në skenën operistike, duke u shpërblyer me shumë duartrokitje nga publiku. Regjisori Gurakuqi duket se tashmë e ka të sigurt suksesin e çdo vepre që ngjit në skenën shqiptare. Vetëm një vit më parë ai shfaqi premierën historike “Aida” që ngjiti në skenë 350 artistë shqiptarë dhe mes tyre dhe të huaj. Nga madhështia e kulturës së lashtë egjiptiane erdhi imazhi i Aidës, e cila përcolli përmes shekujve shembullin e dashurisë së bijës për të atin, për atdheun, por edhe dhimbjen e një gruaje për të dashurin e vetë, Radamesin. Pasi i është bashkuar imazhit të Egjiptit faraonik, regjisori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Nikolin Gurakuqi, përgatiti për në skenë operën “Aida”, veprën e famshme të Verdit, me libret të Antonio Gislanconit, e cila erdhi për herë të parë në skenën shqiptare, në katër akte. Shfaqja e parë më 30 qershor, për të vazhduar në pesë net të tjera deri në datën 7 korrik. Regjisori i pjesës më të madhe të premierave që vihen në këtë institucion gjatë një dekade tashmë së bashku me grupin e tij të punës po përgatisin një premierë tjetër operistike me artistët më të mirë të skenës.

Artistët pjesëmarrës
Në këtë vepër operistike do të interpretojnë emrat më të njohur të TKOB si solistët: Vikena Kamenica, Emiliana Palushaj, Eriona Gjyzeli, Lindita Kola, Edvin Kastrati, Armando Lika si dhe shumë emra të tjerë, zëra të mrekullueshëm të skenës operistike shqiptare. Në operën me dy akte “Berberi i Seviljes” do të jenë të ftuar solistët Françesko Pani, Ergys Mita, Simone D Eusanio, Kreshnik Zhabjaku dhe Aleksandër Stefanoski. Premiera, e cila do të ngjitet në skenën operistike shqiptare në datën 18 qershor do të jetë dhe me interpretimin më të mirë të solistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›