Botimi i Drashkoviçit në Shqipëri, nevojë apo guxim?!
Pak vitet e fundit botuesit shqiptarë kanë kërkuar të sjellin emra të spikatur të letërsisë ballkanike, për të treguar sfidën e tyre, por edhe për të qenë të sigurt në treg me botimin e letërsisë bashkëkohore. Sa ia kanë dalë? Këtë askush nuk mund të na e thotë, kur lëmi i botimeve është i mbushur si çdo sferë e vendit me informalitet të madh. Një sfidë e fundit, duket ajo që ka bërë shtëpia Botuese “Naim”, e cila ka sjellë së fundi “Gjykatësin” një nga dy librat më të shitur dhe më të përkthyer të ish-ministrit serb të Jashtëm, Vuk Drashkoviç. Nëse do të flisnim për paritet, në këtë moment, serbët janë shumë e shumë larg paanësisë që kanë treguar shqiptarët dhe më shumë akoma botimit të letërsisë së tyre. I vetmi hap pozitiv i tyre në fillim të viteve ’60 me botimin serbisht të “Gjeneralit të ushtrisë së Vdekur”, duket se është kyçur në sirtar për memorien e harruar të dy vendeve.
Le të kthehemi me pak fjalë për “Gjykatësin”: ‘Naim’ ka pasur në dorë përkthimin e librit nga ana e z. Nikolla Sudari (deri më atëherë në përpjekje për ta botuar) dhe duke gjetur bashkë një mbështetje edhe nga Ministria e Jashtme serbe, e kanë botuar. Për një kohë të gjatë, përkthyesi është orvatur më kot që të gjejë një mbështetje për përkthimin e tij. Shtëpia Botuese, që e ka nisur vonë rrugëtimin e saj, jo vetëm ka marrë guximin, por i ka shtuar librave të saj një sfidë të re. Deri më tani, ajo është e njohur për një vëllim kushtuar Lasgush Poradecit (të autorit Eldon Gjikaj); marrëdhënieve shqiptaro-perse (grup autorësh akademikë); “Latinët e harruar”, botimin kushtuar arumunëve shqiptarë të Valentin Mustaka; apo librin e autorit Liman Varoshi për ‘Lufta e Ftohtë’ në Europën e Lindjes.
Historia e librit është e thjeshtë dhe na përçon në një kohë shumë të mirënjohur për Shqipërinë, koha e socializmit. Veçantia është se, nëse në Shqipëri të priste plumbi, gjërat në Ish-Jugosllavi kanë një tis më të madh lirie. Kuptohet se totalitarizmi është i njëllojtë dhe po ashtu dhe njeriu ballkanik, mbi të cilin është ngritur e gjithë fabula e librit. Duhet thënë se libri, një nga romanet që Drashkoviç shkroi mes viteve ‘70-‘80, ka qenë një nga mbështetëset kryesore më të mëdha të autorit për staturën e tij të mëvonshme politike. Pas “Gjykatësit” erdhën edhe romanet e tij të njohura “Thikat”, “Konsulli Rus” dhe “Nata e Gjeneralit”, që e bënë jo vetëm një lloj disidenti në vendin e tij, por i dhanë një vend mes letërsisë së njohur sllave. Më vonë, autori iu kushtua tërësisht politikës dhe shumë herë u tregua tejet i ashpër me qëndrimet e tij, jo vetëm ndaj kundërshtarëve por edhe shqiptarëve, kroatëve dhe kombësive të tjera në Federatë. Sot, disi i shmangur nga politika aktive, ai është i përkthyer në anglisht, frëngjisht, rusisht, greqisht, rumanisht etj., dhe vlerësohet si një nga autorët më të përkthyer vendas. Kjo e ka bërë “Naim”, që jo vetëm të mos hezitojë por edhe të sfidojë përmes emrit të tij.
Në këtë vazhdë, shtrohet argumenti edhe për botuesit e tjerë: a është guxim apo nevojë për të sjellë autorë të tillë? Për letërsinë ballkanike duket se është e dyanshme, sepse në historinë e saj ajo ka nxjerrë autorë të njohur dhe tepër të debatuar. Kjo është arsyeja, që IDEART, TOENA, ONUFRI, PAPIRUS nuk kanë mëdyshuar me autorët ballkanike. E veçanta mbetet pastaj te përzgjedhja dhe që kuptohet se botuesit tanë i janë referuar më shumë përqasjes që autorët serbë dhe ballkanikë kanë pasur në vende të thuaja. Vetë Drashkoviç ka qenë shkrimtar dhe gazetar kur ka shkruar këtë libër, por ai vjen, me sa duket, për mesazhin që sjell në libër. Ndërsa të tjerë autorë serbë, janë gjithnjë e më të pranishëm, thjesht prej njohjes së tyre ndërkombëtare. Në treg vazhdojnë të tërhiqen librat e të njohurit Ivo Andriç, Danilo Kish, do jetë shpejt Svetislav Basara, Milorad Paviç, Arsenijeviç në Kosovë, e disa e të tjerë, që janë për publikun shqiptar. Ajo që të bën përshtypje në të gjitha rastet është nëse kjo është thjesht nevojë për një letërsi të tillë apo është guximi prej emrave të tyre për të botuar. Në rastin e Andriç, Selimoviç, Valjareviç, vërtet më shumë se sfidë është cilësia e letërsisë që ata sjellin. Është e tillë kjo, saqë kritika ndërkombëtare i ka vlerësuar dhe Shqipëria s’mund të mbetet më pas. Por nga ana tjetër, kjo ka treguar dhe anën tjetër të medaljes, sesi diplomacia jonë dhe Ministria e Kulturës fle dhe nuk bën as më të voglën gjë, që bëjnë shtëpi të tilla botuese. Pra, nevojën për të promovuar si duhet letërsinë tonë jashtë vendit. Në rastin tonë, kjo duket hapur e njëanshme, pasi serbët pothuaj as nuk e njohin fare letërsinë shqiptare. Ashtu si shumë e shumë vende të tjera.
Tek e fundit, “Naimi“ këtë herë ka treguar se nuk paragjykon, ashtu si i mbetet zyrtarëve të kulturës shqiptarë të mendojnë politika për autorët tanë që të mbështeten jashtë në përkthime. Sa e mundur është? Deri më tani, promovimi i kulturës shqiptare dhe i autorëve të saj jashtë, është pothuaj inekzistent. Dhe kjo, sepse që nga atashetë tanë të kulturës, por edhe njerëzit e tjerë, më shumë merren me gjëra sipërfaqësore dhe thjesht propagandistike. Ja sepse, përpjekja e fundit e guximshme për të sjellë Drashkoviçin, tregon se Shqipëria zyrtare duhet të bëjë më shumë përpjekje për veten e saj dhe të inkurajojë shtëpitë që guxojnë, por edhe autorët e saj të botohen jo vetëm në Perëndim por edhe në Serbi, në gjithë hapësirën ish-Jugosllave apo në krejt Ballkanin, ku ka një publik që lexon dhe e shijon shumë letrën.