Fatrin Krajka: Festivali në RTSH, një rrugë e re në karrierën time
Ai është djali i një muzikanti që ka bërë revolucion me krijimet e tij në Festivalet Shqiptare. Mbiemri që mban i jep më shumë përgjegjësi, megjithatë ai është njeri që sheh përpara… Fatrin Krajka, djali i kompozitorit Agim Krajka, u prezantua për herë të parë në Festivalin e 49-ën në RTSh, me këngën “Në krahët e tua”, interpretuar nga këngëtarja e re Goldi Halili! Fatrini jeton prej vitesh në Amerikë, ku ka studiuar për piano. Tashmë ai punon si kompozitor dhe producent. Në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, ai rrëfen përshtypjet e tij për Festivalin, por edhe për vazhdimësinë e karrierës së tij mes SHBA-së e Shqipërisë…
Fatrin, kjo ka qenë pjesëmarrja juaj e parë në Festival, si e keni përjetuar?
Është një emocion jo i ri, por i rikthyer. Më parë mbaja emocionin e babait, tani është emocioni im dhe i mirë apo i keq çdo gjë tashmë është mbi shpatullat e mia. Por e pranoj të renë dhe kjo ishte një rrugë e re për mua, të prezantohesha në një festival.
Duke qenë se babai juaj ka qenë një nga figurat kryesore të festivaleve, ju duk ndonjë moment se ishit para një lloj testi jo vetëm prej tij, por edhe kolegëve të babait?
Sigurisht që njerëzit presin një lloj standardi prej mbiemrit, janë kohë të ndryshme dhe normalisht edhe orkestracionet bëhen të ndryshme në këtë kohë sesa më parë. Sot kënga është shumë e bazuar në orkestracion, ndërsa më parë ka qenë në melos. Kështu që unë jam munduar të gjej një lloj balance mes të dyjave, orkestracionit dhe melos. Përsa i përket realitetit, njerëzit presin por unë bëra punën time dhe nuk kam parë, as para, as pas.
Ju jetoni e punoni në Amerikë, prezantimi në festival është një dëshirë për të bërë karrierë edhe në Shqipëri?
Për mua çdo eveniment muzikor është një oportunitet për të treguar mesazhin që një muzikant do të japë nga vetja e tij. Kur i biem pianos, por edhe kur kompozojmë, ne duam të tregojmë kush jemi. Nuk e bëj as për emër, as për ekspozim, por bëj atë që shkruaj dhe që ndjej. Kështu do të jetë gjatë gjithë karrierës sime.
Cila ishte arsyeja që zgjodhët Goldi Halilin, këngëtaren që një vit më parë konkurroi me një këngë të babait tuaj…?
Unë ngaqë jetoj larg, nuk kam pasur mundësi të kem marrëdhënie me këngëtarë të tjerë të Shqipërisë dhe nuk i njoh mirë me thënë të vërtetën. Nuk njoh mënyrën si këndojnë, ku regjistrojnë, dhe arsyeja e dytë është se Goldi vetë ka një zë shumë interesant, jo të stilit që jemi mësuar në Shqipëri, një zë më të hollë dhe të pafajshëm, por për mua është zë ekspresiv, nëse di t’i shkruash në një lloj mënyre që i shkon asaj vajze. Ajo ka një zë pak alternativ, që janë shumë në modë jashtë Shqipërisë.
Pjesëmarrja juaj e parë ju çoi në finalen e Festivalit, mes shumë emra kompozitorësh të tjerë në konkurrim. Cili do të ishte komenti juaj për festivalin?
Për mua është hera e parë që mora pjesë, mirë a keq janë shumë elementë mes dëgjimit në skenë dhe mes dëgjimit në televizion. Jam i kënaqur, nuk kam ndonjë vërejtje të theksuar për ndonjë gjë, kënga fituese më pëlqeu dhe më vjen mirë që u përzgjodh ajo për të na përfaqësuar në Eurovizion, qoftë për muzikën dhe kompozitorin Shpëtim Saraçi, qoftë për këngëtaren Aurela Gaçe.
Vitet e fundit jeni më shumë prezent në Shqipëri. Në këtë vajtje- ardhje, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?
Sa herë vij në Shqipëri gjej një pjesë të jetës sime, që ndoshta është në gjumë kur jam në Amerikë. Përballohem me një lloj emocioni, një lloj komunikimi njerëzish që më mungon atje. Kam ikur këtej në një moshë të re, jam ende në zbulim të saj, nuk mund të them se e kam gjetur por them se jam ende në zbulim të vetes sime, sepse brenda vetes sime jam shqiptar.
Vetëm në zbulim të vetes suaj jeni….?
Nis me veten time, pastaj kur zbulon veten, zbulon edhe të tjerë… Pavarësisht se unë nuk vij në Shqipëri për çështje personale, jeta nuk është e njëanshme. Ti vjen për karrierë në Shqipëri dhe jeta çfarë nuk mund të sjell përpara. Unë nuk mundohem as ta kontrolloj, as ta ndaloj atë që vjen. Unë mundohem ta marr thjeshtë, të mos shoh as shumë pas, as përpara!
Kinema
14 aktore në 14 minifilma
Iniciativa artistike dhe e rafinuar e 'New York Times' që përfshin 14 aktorë të famshëm ndërkombëtarë
Jo vetëm në produksione të mëdha hollivudiane, por edhe në iniciativa modeste, por plotësisht artistike. Kështu është performanca e radhës së 14 aktorëve mjaft të njohur në ekranin e madh. Projekti quhet 'Fourteen Actors Acting' e përshfaq aftësinë interpretative të aktorëve të mëdhenj, të drejtuar nga gjeniu krijues Solve Sundsbo, fotografi norvegjez tepër i njohur në botën e modës, ku ka punuar me stilistë të kalibrit të Chanel, Yves Saint Laurent e Dolce & Gabbana.
14 aktorët e famshëm, në harkun e një minuti recitojnë pa folur dhe pa dialoguar, duke vënë në skenë një 'moment vendimtar' ose për të qenë akoma më të saktë, një arketip kinematografik. Rezultati është minifilma spektakolarë tepër sugjestivë, që të sjellin ndër mend fotot e preferuara: është rasti fjala vjen e Natalie Portman, që çlirohet duke hequr fustanin e mbrëmjes. E veshur me një fustan elegant të zi dhe me paruke të verdhë në kokë, Portman, e ulur në një karrige fillon të zhvishet shumë ngadalë me lëvizje të rënda që e bëjnë mjaft të trishtë skenën.
Javier Bardem, i vetmi aktor spanjoll në këtë projekt, thyen gjithçka të vendosur në një tryezë të shtruar. Edhe lëvizjet e tij fillimisht janë të ngadalta, por pastaj ai bëhet gjithnjë e më i dhunshëm dhe zemërak. Aktori Jesse Eisenberg, i konsideruar si zbulimi i këtij viti lëviz me kujdes në ekran dhe pastaj qëllon kundër një armiku të padukshëm. Imazhi i fundit i mini-filmit tregon Eisenberg, i cili para se të largohet shikon drejt në sy kameran, pra telespektatorin.
Aktorët e tjerë të drejtuar nga Sundsbo dhe të shoqëruar me muzikën e Owen Pallett janë Michael Douglas, James Franco, Tilda Sëinton, Chloë Moretz, Matt Damon, Jennifer Laërence, Naomi Rapace, Vincent Cassel (i cili kërcen me një karrike), Anthony Mackie, Robert Duvall e Lesley Manville. Të 14 aktorët janë bërë më pas protagonistë të një galerie imazhesh të publikuara gjithashtu në “New York Times” e të titulluar 'The Scene Makers'. Këto fotografi tregojnë artistët që i dhanë një kontribut të madh kinemasë së vitit 2010. Projekti, në tërësinë e vet është mjaft kompleks dhe sugjestiv. Videot e aktorëve janë duke bërë xhiron e botës në web sepse është e pamundur të mos i admirosh këta aktorë!