E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur të shkoj në Shqipëri, mos më pyetni kur do kthehem

Don Lush Gjergji, prifti katolik i Ipeshkvisë së Shkup-Prizrenit në promovimin e librit “The mother of charity”, ku përshkruan në detaje jetën e Nënë Terezës. Për herë të parë ai e takoi në vitin 1968 dhe që atëherë e ka ndjekur atë kudo. Si u drejtohej ajo motrave në vizitën e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989. Prifti rrëfen momentet kyçe në jetën e bamirëses

Në përmbyllje të aktiviteteve të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, u promovua në ambientet e Kryeministrisë vepra ‘The mother of Charity” e autorit Don Lush Gjergji, i cili kishte ardhur në këtë ceremoni si i ftuari i kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha. “Nënë Tereza i dha nder të madh njeriut së pari, i dha nder sigurisht familjes e kombit të vet, por mbi të gjitha nderoi sa askush tjetër njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore. Së pari, dua të shpreh nderimin tim të madh për këtë punë të shkëlqyer që Imzot Lush Gjergji paraqet para shqiptarëve dhe mbarë botës këtë monografi, e cila ka brenda dashurinë e pakufishme, adhurimin, përkushtimin e Dom Lush Gjergjit ndaj nënës, motrës, vajzës, gruas shqiptare që, me besimin e saj te Zoti, te Krishti, ia doli të pushtojë më shumë se kushdo tjetër në kohën e saj zemrat e njerëzve, ia doli me virtytet e veta të përfaqësojë njeriun, kombin, qytetërimin” - u shpreh ndër të tjera kryeministri Berisha.

“The mother of charity” është titulli i librit që përshkruan në detaje jetën e Nënë Terezës.

Don Lush Gjergji është ndër ata njerëz të rrallë që e ka ndjekur Nënë Terezën hap pas hapi që prej vitit 1968, kur ai e takoi për herë të parë në Romë. Don Lushi e përcjell si askush tjetër, madje me ilustrime të shumta në fotografi, këtë ecje në jetën e Nënë Terezës: fëmijërinë në Shkup, jetën në Zagreb e në Dublin dhe më në fund fillimin e misionit historik në Indi. Prifti katolik i Ipeshkvisë së Shkupit dhe Prishtinës ruan mjaft kujtime nga Nënë Tereza, disa prej të cilave i rrëfen edhe në këtë intervistë.

Kur e keni takuar për herë të parë Nënë Terezën?

Unë pata fatin që ta takoja për herë të parë në vitin 1968 në Romë dhe që atëherë nuk pata mundësi ma të ndahem prej saj, sepse nëna e ëndrrave të mia dalëngadalë do të bëhej dhe të shndërrohej në nëna e popullit shqiptar e më gjerë, Nëna e botës mbarë.

Si ishte ta njihje nga afër?

Çka zbulova e çka mësova nga jeta me të? Atë e kam zbulu në 13 libra me vëllime dhe sidomos në këtë vëllim që unë paraqes sot: “Nëna e Dashurisë”. Por dua të them nji gja, prej takimit të parë e deri në takimin e fundit para kalimit në amëshim ajo mendjen dhe zemrën e kishte te populli shqiptar te Shqipëria jonë, te Kosova dhe kudogjetiu jetonin shqiptarët dhe sa më tepër që plakej aq më tepër përmallohej. U thoshte motrave: “Kur të shkoj në Shqipëri, mos më pyetni kur do kthehem”- sepse malli e mbante gjithnjë e më gjatë. Më kujtohet kur në vitin 1989, kur e vizitova për 10 ditë në Kalkutë. Pyetjet e para që më bëri ishin: A ma solle fjalorin anglisht - shqip dhe gramatikën, që ta mësoj gjuhën shqipe ashtu si e flet sot populli shqiptar. Dhe shpesh herë më thoshte: “Më fol shqip”. Sepse ajo e kuptonte shumë mirë shqipen, shkruante rrjedhshëm, por kuptohet mungesa 50-vjeçare e komunikimit i krijonte aty-këtu ndonjë zbrazëti. I thashë: Tash ti s’ke nevojë ta mësosh gjuhën letrare shqipe, sepse ti flet gjuhën e dashurisë që e kupton bota mbarë. I rrodhën dy lot gëzimi dhe më tha: “Të falënderoj për këtë fjalë e për këtë porosi”. Nëna Tereza ishte dhe mbetet një sofër e madhe e popullit shqiptar, por e shtruar jo vetëm për shqiptarët, por për botën mbarë, sepse ajo e frymëzuar nga feja dhe dashuria bëri gjithçka që njerëzimi s’e kishte parë kurrë më parë

Po nga takimi juaj i fundit me të, çfarë kujtoni?

Do ta mbyll me një detaj në takimet e fundit që pata me të para se të kalonte në amshim. Më tha: M’i jep duart e tua? E pyeta: Është ndonjë lojë kjo? Jo - më tha - nuk është lojë”. Kur ia dhashë dorën e djathtë dhe më tha: Shiqoji gishtërinjtë e tu. Unë i shiqova ajo shtoi: ǒdo të bëje sot për Zotin? E ke edhe nji dorë tjetër edhe ca gishtërinj të tjerë - më tha - dhe sërish bëri pyetjen: “Çdo të bëj sot për njeriun? E në fund më tha: Nëse ke bërë diçka të mirë, bashkoi këto duar e falëndero Zotin dhe, nëse ke gabuar dhe ke patur mundësi të bësh mirë e s’ke ba, kërkoji ndjesë e shko dhe pusho, se do të kesh ditë të tjera për ta bërë. Këtë porosi ma la ajo mua dhe unë sot po jua lë juve në zemër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›