E Diel, 1 Nëntor 2026

Botohen intervistat e fratit françeskan në 15 vjet

 

Në mënyrë sintetike jepet një model i qytetarisë dhe mirësisë. Një parathënie e gjatë e Aurel Plasarit

Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët

Intervista ka qenë një medium me të cilin Pater Zef Pllumi ka komunikuar vazhdimisht me njerëzit qysh atëherë kur nuk i kishte shkruar veprat që la dhe kur ishin shumë ata që nuk i njihnin e nuk ishin të vetëdijshëm për frakturat e një sistemi diktatorial, dogmatik, ushtarak, sadoqë kishin jetuar brenda tij.

Mbi këtë zhanër të gazetarisë së shkruar dhe të folur, Aurel Plasari dhe Agron Gjekmarkaj kanë përgatitur “Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët” një botim i “Onufrit” që pritet të hidhet në qarkullim.

Janë zgjedhur 16 intervista – disa nga intervistuesit janë Ilir Yzeiri, Bardhyl Matraxhiu, Ilirjana Stringa, Ilirjan Agolli, Dom David Gjugja, Blendi Fevziu, Ben Andoni etj. - nga shumë që ai dha në harkun kohor të 15 viteve, 1992 deri në muajin e fundit të vitit 2007 kur u nda nga kjo jetë. Një njeri i lirë për të dhënë mendimin e tij të lirë përballë atyre, gazetarëve të cilëve iu ishte drejtuar: “Ju ende nuk jeni formuar me mendimin e lirë demokrat, ende nuk jeni bërë kundër diktaturës, ju ende ushqeni diktaturën”. Ky bashkëbisedim i lirë e shndërron intervistë pas interviste, fratin fraçeskan në “Fratin e ideve” si e quan Aurel Plasari në parathënien e gjatë të librit ku më së shumti ai është ndalur tek ideologjia e tij: “Kur tanimë idetë e tij vijnë duke u sistemuar, dallohen qartazi katër skajet kardinale mes të cilave, si mes katër pikave të horizontit, ka lëvizur e është zhvilluar ideologjia e tij, ideologjia më e thjeshtë në botë: liria përkundrejt tiranisë dhe dashuria përkundrejt dhunës”.

Plasari, konsulent i këtij botimi që në hartimin e tij, ka besuar se tek kjo dorë intervistash shfaqet qartë dhe në mënyrë sintetike kjo ideologji e fratit të kujtimeve “Rrno vetëm për me tregue”. Nëpërmjet tyre, opinionit publik i jepet një model që At Zef Pllumi ka ofruar, i cili “konfirmon, nga njëra anë faktin se me kultin modern të njerëzve të mëdhenj inteligjenca rezulton vërtet objekti më i lartë i vlerësimit, por dëshmon nga ana tjetër se, e trashëguar prej së lashti model mbas modeli, fismëria e karakterit nuk u zhbë tek njerëz si ai. Madje ndonjëherë doli më përpara.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›