E Diel, 1 Nëntor 2026

A do të kalohet prova e Euroimages-it

 

QKK përballë kërkesave të rrepta për anëtarësimin në “Euroimages”. Kërkohen kinematë, 1 për 80 mijë banorë. Feri përgjigjet: Shumë shpejt do të jemi anëtarë

Kush nuk i mban mënd filmat “Ballë për Ballë”, “Fijet që priten”, ose komikët e telekomedisë “Dy herë mat”. Nganjëherë dhe ne si Rudina, kërkojmë edhe akullore edhe çokollatë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, financuese në disa projekte të rëndësishme (në proces) për këtë vit në industrinë e filmit, po tenton të bëjë matin e dytë për fillimin e bisedimeve dhe nisjen e procedurave për anëtarësimin në “Euroimages” (Francë). Kjo e fundit, e varur nga Këshilli Europian, bën financimin e produksioneve kinematografike në industrinë e filmit të paktën në 38 shtete të kontinentit tonë dhe ka ndezur një dritë jeshile dhe për QKK. Gjasat janë që në fillim të vitit 2009, QKK dhe “Euroimages” të nisë bisedimet me përfshirjen e produksionve të kineastëve shqiptarë me një financim qindra mijë dollarësh.

Kryetari i QKK, Xhevdet Feri, shprehet se fillimi i procedurave për anëtarsimin në Euroimages ka nisur që në vitin 2005, pas një kërkese të prezantuar atëherë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

“Procedurat e filluara tre vjet më parë me ish-ministrin e MTKRS-së Bujar Leskaj, ngritja me shumë zhurmë e komisionit që nuk u përmend më dhe refuzimi i aprovimit nga ministri Ylli Pango”, e bëjnë për kryetarin e kësaj qëndre më të vështirë nisjen e bashkëbisedimeve me këshillin. Feri pohon se ka bërë disa herë kërkesë në ministri për miratimin e Konventës Ndërkombëtare të ko-produksionit Europian, e cila do të niste procedurat për hedhjen e hapave të para të kësaj marrëveshjeje. Nuk kanë munguar dhe kërkesat e drejtuara Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha.

Kryetari QKK sqaron se “duke u pajisur me dokumentacionet përkatëse dhe duke zbatuar rregulloren që parashikon “Euroimage”, biseduam me Margarita Gegën, Ambasadorja Shqiptare në KE, e cila me një mandat përfaqësimi, raporti ynë u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit. Aktualisht po presim që në mbledhjen e ardhshme të ftohet komisioni që do të nisë fillimin e bashkëbisedimeve.”

Ndërkohë, për drejtuesin e QKK, përballja me kriteret që parashikon anëtarësimi është sfida e vërtetë e këtij procesi.

Euroimages kërkon “kinema, buxhet, prodhim, ratifikim të konventave me transmetimet e televizioneve, të drejtat e autorit, luftë piraterisë etj. Për fatin e mirë, janë pika që ne i plotësojmë, në diskutim mbeten numri kinemasë dhe ratifikimi konventës europiane për ko-produksionin.”

Duke u përballur me faktet, në kryeqytet janë vetëm dy kinema private dhe vetëm 3 kinema publike, por dhe këto të fundit janë mbyllur prej kohësh. Një nga problemet që shqetëson më tepër Ferin është lufta kundër piraterisë, mbi të cilën mendon se “tregu i filmave duhet të jetë më i kontrolluar, njëkohësisht është biznes që duhet stabilizuar nga privatët.”

Në mbledhjen e ardhshme të këshillit, një delegacion i vogël nga Shqipëria shkon në Francë për të nisur një linjë bashkëbisedimi dhe për ruajtjen e marrëdhënieve me anëtarë të komitetit ekzekutiv dhe sekretariatin ekzekutiv të këshillit, përfshirë dhe tarifën vjetore që do paguajë ky institucion. Kjo qendër ka parashikuar që të shpenzojë si tarifë vjetore gati 100-150 mijë euro për antarësimin në këshill, por si duket kjo shifër nuk do përmbushë kërkesat e metropolit dhe standardet e “Euroimages”, që do të thotë 1 kinema për 80.000 banorë. Kështu që optimizmi i Ferit duket i tepruar përballë kërkesave që imponon struktura evropiane për kinematografinë.

Euroimages është themeluar nga Këshilli Europian për financimin e kooproduksionet, tregun dhe ekspozimin të kinematografisë Europiane. Themeluar në 1988 ky këshill promovon industrinë e filmit në 33 shtete në gjithë kontinentin tonë.

Londo: Kinematë i kemi gati

Kiço Londo, drejtor i Qendrës Kulturore Tirana, së fundi edhe administrator i kinemasë “Dajti” (në rikonstruksion), “Agimi” dhe “Ylli kuq”, objekte në varësi të Bashkisë së Tiranës, konfirmon për gazetën “Shekulli” se “të gjitha këto objekte janë të përfshira në projektin e bashkisë së kryeqytetit dhe do t’i nënshtrohen rikonstruksionit total që do t’i japë një fytyrë të re këtyre ambienteve.”

Punimet janë parashikuar të përfundojnë në gjysmën e vitit 2009, pra disa muaj më vonë nga mbyllja e negociatave të QKK për anëtarësimin në Euroimages.

“Ky projekt është një përshtatje që i bëhet krijuesve të qytetit me të rinjtë e kryeqytetit dhe mendoj se rifunksionimi i objekteve do të jepte kontribut dhe në anëtarësimin në “Euroimages”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›