E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leopardi i Klarës

 

“Këngët” e famshme të Xhakomo Leopardit në përkthimin e Klara Kodrës, një dhuratë për bibliotekën shqiptare. Tek “I Canti”, edhe dy kryevepra të tij, “Silvias” dhe “Kujtimet”

Para dhjetë vjetësh, televizioni kombëtar italian (Televideo-RaiUno) jepte këtë njoftim prekës: “Pasardhësit e familjes së Xhakomo Leopardit i dhurojnë stërgjyshit të tyre të ndritur një muze në Rekanati për të kremtuar dyqindvjetorin e lindjes së poetit që bie më 1998. Muzeu do të ngrihet përballë pallatit të familjes, pikërisht aty ku banonte Silvia, e pavdekësuar nga Xhakomoja në një nga lirikat më në zë të letërsisë. Do të përfshijë një shesh të gjerë ekspozues me struktura telematike që do t’i japë mundësi hyrjeje, mes të tjerash, bibliografisë botërore mbi autorin. Do t’iu jepet mundësia edhe edicioneve elektronike të teksteve të bibliotekës ku Leopardi kaloi “shtatë vite të marra e të dëshpërueshme”.

Kjo mu kujtua sapo mora vesh që kish dalë në dritë botimi i përkthimit në shqip i kryeveprës lirike “Këngë” të Xhakomo Leopardit. E, “a priori”, gëzohesh kur e sheh që këtë ndërmarrje të guximshme e ka një kompetent, një njohës i mirë i gjuhës origjinale të veprës dhe jetës së autorit, siç është prof. dr. Klara Kodra e cila nga prejardhja gjuhën italiane e ka gjuhë amtare nga nëna siç ka shqipen nga i ati; ka përkthyer pjesë letrare nga shqipja në italisht, tekste që janë botuar në Itali. Kaq na jep së pari vetëm emri i saj.

Tani le të shohim konkretisht dhuratën e kohëve të fundit që po i jep bibliotekës shqiptare: kryeveprën leopardiane “Këngë” në gjuhën shqipe, e cila kemi arsye të besojmë që do të hyjë në bibliografinë botërore, atje ku familjarët e poetit të madh kanë ngritur muzeun e lartpërmendur.

Duke shfletuar librin simpatik për nga lidhja (meritë kjo e shtëpisë botuese Argeta – LMG) na bie në sy së pari parathënia e përkthyeses: një analizë e mprehtë e jetës dhe e veprës së poetit; dëshmi tjetër kjo e njohjes së thellë, jo vetëm e gjuhës së origjinalit por edhe e jetës së shkurtër dhe të mundimshme të këtij gjeniu i cili pat shkruar: “...se vajplot ish jeta ime dhe është e nuk ndryshon, o hëna ime e shtrenjtë” (Hënës). E këtu kemi të bëjmë me një faktor që i prin suksesit. Është thënë nga kritikë dhe mendimtarë të ndryshëm që, në mes të lexuesit dhe autorit të një vepre artistike, shpesh përkojnë fije të padukshme lidhjesh shpirtërore. Këtë do të thoshim edhe për një përkthyes i cili arrin në shkallë të lartë. Duke dashur t’i shmangemi subjektivizmit, shpresojmë të kemi të drejtë kur themi që në çastin që na jepet, kemi të bëjmë ndoshta me një dukuri të tillë.

E gjithnjë duke shfletuar hyjmë në tempullin shpirtëror të poetit, të udhëhequr nga përkthimi mjeshtëror i zj. Klara Kodra.

Poezia e parë i kushtohet “Italisë” ku shprehet trishtimi për rënien e saj, duke e krahasuar me të kaluarën e saj të lavdishme: “O atdheu im, shoh muret dhe harqet/ Shtyllat dhe shembëlltyrat e të vetmuarat/ Kulla të stërgjyshërve tanë,/ Po s’shoh lavdinë,/ Nuk shoh dafinën dhe hekurin e shpatës/ Që mbanin etërit tanë...”

Neve na kujton vjershën e Pashko Vasës tonë, i cili pat vajtuar dikur: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni...” (“Shqypnisë së robnueme”). E delli patriotik i Leopardit, gjithnjë i tendosur, vazhdon “Për monumentin e Dantes që po përgatitej në Firence”, e thërret: “Itali, kije për zemër/ Nderimin për të parët/ Se tash të tillë s’kanë viset e tua/ nuk sheh më njeri të denjë për lavdi e emër”. E duke shkuar më tej në këtë kopsht poetik, do të na dukej vetja si ajo flutura që kalon nga një lule në tjetrën, duke ndaluar ku më shumë e ku më pak, sipas endjes dhe shijes së padiskutueshme. E pas luleve të ndjesive patriotike, vijnë ato familjare si p.sh. “Në dasmën e motrës Paolinë”, të ndjekura nga ato shoqërore si “Një fitimtari të lojës me top” etj...

Duke vazhduar ndeshemi në frymëzime historike - “Bruti i dytë”, biblike - “Himn patriarkëve” e më në fund, duke kthyer shikimin brenda vetes, ai këndon “Dashurinë e parë” të pafat – si të gjitha të tjerat – për kushërirën e tij, e pastaj arrin kulmin poetik me ato “idile”, siç i quajti vetë, ku përfshihet më i shkurtri dhe më sugjestivi nga të gjithë, “Pafundësia”: pak rreshta për një botë të tërë. Pastaj vjen ai i “Hënës”, imazhi i tij i dashur, së cilës i atribuoi numrin më të madh të epiteteve që ka parë letërsia.

Pas një heshtjeje të gjatë, “shkrepëtijnë” dy kryeveprat më të përsosura të tij, “Silvias” dhe “Kujtimet”, të ndjekura nga dy idile të mëdha “Qetësia pas shtrëngatës” dhe “E shtuna e fshatit”. Pastaj ato që shkroi në Firence: lirikat e iluzionit të fundit dhe zhgënjimit të fundit; e në Napoli me “Gjineshtrën” që do të dukej se ishte kënga më e dëshpëruar, kurse, përkundrazi, është himni i solidaritetit njerëzor përballë armikes indiferente dhe të pamëshirshme: Natyrës.

E kështu, me një intensitet të pashembullt veprimtarie (ai ka krijuar vepra në prozë) e mbylli jetën e tij të shkurtër e shumë të vuajtur ky kollos i artit poetik. Pesimizmi i famshëm i tij u shpreh të formë të ashpër dhe logjike por asnjëherë pa hir e poezi, madje me një larmi e pjellori të jashtëzakonshme gjetjeje. Vdiq në moshën 39-vjeçare.

Në poezinë “Dashuri e vdekje” ai citon poetin e lashtësisë greke, Menandrin: “Vdes i ri ai që për qiellin është i dashur”... Ndërsa për veten e tij shkruan: “Cilatdo qofshin fatkeqësitë e mia (...) unë kam pasur kurajon për të mos kërkuar që t’ua zvogëloj peshën, as me shpresat e kota të së ashtuquajturës lumturi e ardhshme dhe të panjohur, as me një nënshtrim të ulët. (...) E, po me këtë kurajo pastaj, duke qenë i rrëmbyer nga kërkimet e një filozofie dëshpëruese, nuk kam nguruar që ta përqafoj atë tërësisht.”

Një nga të mëdhenjtë që ka dhënë mendimin e tij mbi të, Ungareti, thotë: “Unë nuk di nëse ndokush ka krijuar ndonjëherë lidhjen e formës me frymëzimin me atë gjerësi njerëzore e stërhollim që ka pasur Leopardi.”

Pra, duke përfunduar, lirikat “Këngë” që dolën në dritë këto ditë dhe po i ofrohen lexuesit shqiptar, përbëjnë një ngjarje me rëndësi kulturore; e sidomos për dashuruesit e artit poetik ky është një rast i lumtur për të shijuar një kënaqësi artistike ndoshta ende të pashfrytëzuar.

Përkthyes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›