E Diel, 1 Nëntor 2026

Botohet Meny me barsoleta, plotësohet amaneti i Ferdinand Radit

Iku shpejt, por fatlum. Të gjithë e mbajnë mend me buzë në gaz. Kur pyet dikë për Ferdinand Radin, përgjigjja do jetë gjithnjë plot humor. Aktori Ferdinand Radi ishte një nga ata njerëz që, për aq sa jetoi, dhuroi shumë të qeshura e dashuri, madje edhe tani që nuk është më, ai ka lënë si testament një tufë buzëqeshjeje. Për ta përkujtuar në 70-vjetorin e lindjes, u mblodhën dje në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit miq e kolegë. Një kolazh me rolet e tij më të spikatura në kinematografi rikthyen edhe një herë në vëmendjen e të pranishmëve talentin e tij, që ndihmohej nga portreti dhe fiziku i tij i veçantë, që e favorizonin në rolet e karakterit. E, siç ndodh nëpër raste të këtilla, të afërmit, kolegët e miqtë e afërt do të thonë diçka. Të gjithë donin të flisnin e të tregonin të gjitha ato herët kur Ferdinandi i kishte nxjerrë nga situata përmes humorit. Të dukej sikur ishte një garë barsoletash dhe, po të ishte gjallë, Ferdinandit do ti kishte pëlqyer shumë. E bija Andeta, Saimir Kumbaro, Timo Flloko, Luftar Paja, Rajmonda Bulku e të tjerë ndanë copëza të vogla kujtimesh. Por kryefjala e këtij takimi ishte një libër me autor vetë Ferdinand Radin. Një libër humoristik, titulluar Meny me barsoleta-Për të gjitha gustot. Për botimin e tij është kujdesur artisti Bujar Kapexhiu, i cili edhe e ka ilustruar librin me karikatura, që kanë në qendër vetë autorin e barsoletave. Ky është libri i dytë. Kemi bashkëpunuar edhe në librin e parë. Ai dëshironte që ta ilustroja unë dhe pati shumë sukses. Puna nisi edhe për të dytin, të cilin fatkeqësisht nuk e pa dot të botuar. Por e la në dorëshkrim. Për mua ishte një amanet që duhej realizuar dhe më në fund arrita ta ilustroj librin e ta botoj, thotë Kapexhiu, teksa shton se për botimin e këtij libri merita i takon vetë Ferdinandit që e grumbullonte humorin dhe krijonte vazhdimisht. Natyra e tij ishte e tillë. Nëse do ishe në tavolinë me të, do dëgjoje vetëm të qeshura. Ishte një natyrë shumë interesante, inteligjente në kapjen e fenomeneve. Kishte shumë fantazi, por mbi të gjitha ishte njeri shumë i mirë. Ndaj edhe kishte shumë miq që e donin dhe kishin dëshirë ta kishin pranë. Por sa i mirë, i urtë, i ëmbël ishte, aq edhe i ashpër bëhej me padrejtësinë. Ai nuk rrinte dot pa u tallur dhe pa kritikuar diktaturën, vazhdon Kapexhiu. Përveç roleve në kinema e teatër, si Vizita e damës plakë, Ezopi, Rikardi i tretë, Kush vjedh një këmbë, ka fat në dashuri, Kur zbardhi një ditë, Shtigje lufte, Rrugicat që kërkonin diell, Shembja e idhujve, I treti, Skëterra 43, Balada e Kurbinit, Vdekja e kalit etj., pakkush e di se ka shkruar rreth 20 drama e komedi, që janë vënë nga trupat amatore, por dhe në Teatrin Kombëtar. Ka shumë gjëra të shkruara, ekzistojnë dorëshkrimet origjinale dhe me kohë ato do të përmblidhen nëpër vëllime e do të botohen, thotë Kapexhiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›