Koncert pranveror nga orkestra me uniformë

Sopranoja Marjana Leka dhe dirigjenti Ermir Krantja, gjatë koncertit të 25 marsit
Në vitin e Pavarësisë, një koncert nën dirigjimin e Krantjes.
Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura ka nisur ringjalljen e aktiviteteve artistike.
Një koncert me ritmin e stinës, por edhe me ngjyrat e festës kombëtare. Në një skenë, ku bashi i vendit i është lënë shqiponjës së 100-vjetorit të Pavarësisë, e veshur kuq e zi, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura solli Koncertin Simfonik të Pranverës. Mbrëmjen e së dielës, salla e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte mbushur plot. Dallonin uniformat e Forcave të Armatosura, mes të cilëve gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të FA-së, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, por edhe përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë. Nën drejtimin e bagetës së mjeshtrit të dirigjimit, Ermir Krantja, orkestra me përvojë e Forcave të Armatosura solli një program të pasur me pjesë të zgjedhura nga repertori klasik botëror, por nuk munguan edhe vepra të autorëve shqiptarë, të cilat rrinin bukur dhe natyrshëm mes perlave të muzikës së Puçinit apo Brahmsit. Një koncert, që nuk të linte indiferent. Këtë e vërtetoi edhe reagimi i publikut, i cili shoqëroi vazhdimisht me duartrokitje interpretimin e ngrohtë të orkestrës, në përgatitjen e së cilës ndihej pasioni i dirigjentit Krantja, i cili së fundmi i është bashkangjitur kësaj orkestre, që prej vitesh drejtohet nga Halim Teqja e Altin Babameto.
Programi
Për tiu përmbajtur titullit që i kishin vënë organizatorët kësaj ngjarjeje artistike, programi i Koncertit Simfonik të

Nga Koncerti Simfonik i Pranverës
Pranverës ishte përzgjedhur në mënyrë të atillë që tu përshtatej shijeve të të gjithëve, që nga mazurka e çardashi tek vallet hungareze, tragjeditë italiane tek ajo që edhe u duartrokit më shumë, kënga arbëreshe e mallit. Kështu, disa nga pjesët e interpretuara nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura ishin Rondo për 3 trompa nga Isak Shehu, suita nga baleti Kobelia i Leo Dalib, Rondo nga Rauf Dhomi, 3 valle hungareze e kompozitorit Johannes Brahms etj. E ftuar speciale e kësaj mbrëmjeje ishte sopranoja Mariana Leka, e cila interpretoi arien Vissi darte, vissi damore…, shkëputur nga opera Tosca e kompozitorit italian Giacomo Puçini. Nën interpretimin e solistes së TKOB-it erdhi dhe kënga arbëreshe Moj e bukura More, një himn malli për atdheun.
Ringritja e institucionit
Koncerti i së dielës u organizua nën kujdesin e veçantë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, por Koncerti Simfonik i Pranverës është vetëm një prej aktiviteteve që zhvillon Qendra Kulturore e Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, pjesë e së cilës është edhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura. Sipas drejtoreshës së përgjithshme, Zerina Kuke, në këtë qendër po bëhet një punë shumë serioze, për të qasur rreth vetes artistë me
kontribute të veçanta, janë ngritur borde profesioniste për hartimin e programeve, apo për përzgjedhjen e elementëve të rinj që i shtohen kësaj qendre. Një shtysë në pranverën e këtij institucioni ka dhënë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. E, në të vërtetë, kjo frymë ka nisur të ndihet së fundmi përmes aktivitetesh, jo vetëm të Orkestrës Frymore, e cila është një nga më profesionistet dhe më të kompletuarat në Shqipëri.
Krijimi i institucionit të QKMBM-së është si një urë lidhëse mes vlerave profesionale dhe njerëzore të forcave tona të armatosura dhe atij të publikut të gjerë. Mendoj se e kemi për detyrë që të çmojmë si duhet këtë binom uniteti, brenda të cilit ngërthehen vlerat e gjithëkohshme njerëzore, ato historike, të trashëgimisë kulturore të së shkuarës, por edhe arritjet më të fundit të forcave tona të armatosura në kuadër të integrimit euroatlantik, thotë drejtori i Aktiviteteve pranë QKMBM-së, akademik Vaso Tole. Si muzikolog, ai ndalet më shumë në rolin e orkestrës që, sipas tij, është një tjetër aset me vlera kombëtare, në të cilin punojnë profesionistë nga më të njohurit në vend e më gjerë dhe kjo është garanci për një tjetër nivel më të lartë në të ardhmen e afërt. Për institucionin ku ai punon, ky vit-jubile është shumë i rëndësishëm, pasi edhe QKMBM është pjesë e kalendarit të festimeve, por projektet e tejkalojnë vitin. Paralelisht me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të 100-vjetorit, po punojmë në grup për të zgjeruar gamën e produkteve dhe të projekteve artistike dhe kulturore që ne ofrojmë, thotë Tole, duke premtuar të tjera aktivitete në vijimësi.