Luan Hoxha: Gjyqi në mungesë

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha
Ish-zyrtari i lartë i Ushtrisë, i zhdukur që në janar 2012, reagon pas dënimit me 7 vjet burg.
Gërdeci, avokati: Fola me ish-shefin e Shtabit për apelin.
Gjenerali Luan Hoxha, ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është bërë i gjallë pasi u deklarua fajtor dhe u dënua nga Gjykata e Tiranës për akuzën e tij në dosjen Gërdeci. Pas shpalljes së vendimit gjyqësor që e deklaroi atë të fajshëm dhe e dënoi me 6 vjet burg e 4 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore, gjenerali Hoxha ka thyer heshtjen e tij disajavore. Ai ka kontaktuar me mbrojtësin e tij ligjor për të diskutuar në lidhje me ankimin e vendimit në Gjykatën e Apelit. Lajmi u konfirmua nga mbrojtësi i tij ligjor, avokati Brahim Lahi. Sipas avokatit, i pandehuri Hoxha është lidhur me të në rrugë telefonike pak ditë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në këtë kontakt që ka pasur, avokati është konsultuar me klientin për argumentimin e ankimit në Apel të vendimit të Gjykatës së Tiranës. Në vijim avokati ka depozituar ankimin në datën 19 mars 2012 në Gjykatën e Apelit. Në kundërshtimin në Apel, Hoxha i qëndron pretendimit të pafajësisë për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mësohet se argumente të apelimit të vendimit janë disa shkelje procedurale të pretenduara se janë kryer në Shkallën e Parë. Një nga to është mosnjoftimi nga gjykata i të pandehurit Luan Hoxha për seancat gjyqësore të dosjes Gërdeci, pavarësisht se ai përfaqësohej në sallë nga avokati. Klienti im është thirrur vetëm një herë në gjykim, në seancën që ai ka dhënë deklarimet e tij. Ai nuk është njoftuar si të pandehurit e tjerë, për çdo seancë, u shpreh dje avokati Lahi për gazetën. Komunikimi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm me avokatin e tij ka thyer heshtjen disajavore të gjeneralit të marrë si i pandehur në dosjen Gërdeci. Ai rezulton të jetë larguar së bashku me familjen e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditët e para të janarit, thuajse dy muaj para se Gjykata e Tiranës të shpallte verdiktin përfundimtar të Gërdecit. Që prej publikimit në media të lajmit të largimit të tij nga Shqipëria në javën e parë të muajit shkurt, gjenerali nuk pati kontaktuar me mbrojtësin. Kjo heshtje vijoi edhe në seancën e parafundit dhe të fundit të procesit. Fajësia e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm u shpall nga Gjykata e Tiranës në vendimin e 12 marsit të 2012-s. Deklarimin fajtor të të pandehurit Luan Hoxha, për kryerjen e veprës penale ushtarake shpërdorimi i detyrës nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 i Kodit Penal Ushtarak dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim, thuhej në vendim. Me herët, në fazën e konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Hoxhës dhe dënimin e tij me 8 vjet burg.
Largimi nga Shqipëria
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, u largua nga Shqipëria pa asnjë gjurmë në fillim të këtij viti. Ai nuk u gjend në banesën e tij përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa lajmëroi për largimin edhe një universitet privat tek i cili jepte mësim. Po kështu, pas pretencës së tij me anë të avokatit në Gjykatën e Tiranës në tetor 2011, Luan Hoxha nuk u paraqit më në gjyqin e Gërdecit, ndërsa procesi vazhdonte. Ai po ashtu nuk është paraqitur në seancë as gjatë shpalljes së vendimit, ku u dënua me shtatë vjet burg, duke marrë ndëshkimin penal më të rëndë mes ushtarakëve të akuzuar në këtë çështje. Sipas informacioneve të marra nga Policia, referuar edhe sistemit TIMS, rezultonte se Luan Hoxha ishte larguar jashtë Shqipërisë për në SHBA me gjithë familjen.
Armand Bajrami