E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohet artikulli i dytë horror kundër Bazes në "KJ"

Mero Baze nuk do të bëjë padi në prokurori për artikujt e botuar dy ditët e fundit në të përditshmen "Koha Jonë". Në artikullin e parë botuar të martën, një autor bën thirrje për vrasjen e Mero Bazes dhe përshkruan në paragrafë të tërë, skenën e një masakrimi të mundshëm të botuesit të "TemA"-s.


Artikulli ngjalli gjatë ditës së djeshme debate të forta në opinionin publik. Megjithëse shumica e mediave të tjera e anashkaluan, në internet dhe në forumet e lexuesve të shtypit on-line, reagimet kanë qenë me mijëra.

Por, megjithë kundërshtimet e shumta dhe indinjatën e shprehur për artikullin e parë, gazeta "Koha Jonë" vijoi edhe dje një artikull të dytë me të njëjtin autor, ku gjuha e rëndë dhe kërcënimet vijonin. I pyetur lidhur me këto artikuj, botuesi i "TemA"-s, tha dje për "Shekulli"-n se nuk do të bënte padi për kërcënimet dhe prokuroria mund të niste hetimet kryesisht nëse dëshironte.

Gazeta "Koha Jonë", dikur pronë e Nikollë Lesit, sot ka për botues Aleksandër Frangajn, njohur për afrinë me Kryeministrin e vendit Berisha. Gazeta "TemA", në kronikën e vet për ngjarjen, një ditë pas artikullit të parë, citonte gazetarë të redaksisë së gazetës "Koha Jonë", të kishin parë botuesin Frangaj që ia lexonte Kryeministrit në telefon artikullin përpara botimit.


Mero Baze ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit aktual, gjatë gjithë periudhës së tij në opozitë dhe pushtet.

Një e përditshme shqiptare bën thirrje për vrasjen e gazetarit

E përditshmja shqiptare "Koha Jonë", e parë nga vëzhguesit e pavarur si një botim afër Kryeministrit, Sali Berisha, bëri thirrje për vrasjen e një gazetari kritik të qeverisë në editorialin e së martës.

Me përshkrime të detajuara, artikulli bënte thirrje për vrasjen e botuesit të së përditshmes "TemA", Mero Baze, një gazetë që sulmon ose sulmohet nga Berisha thuajse përditë. Shoqatat lokale të gazetarëve reaguan të alarmuara dhe i bënë thirrje qeverisë të distancohet nga artikulli.

"Ne jemi shumë të shqetësuar prej kërcënimit publik dhe përshkrimit horror për vrasjen imagjinare të gazetarit Mero Baze, botuar nga "Koha Jonë", - thuhej në një deklaratë të përbashkët të Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë dhe Forumit për Mediet e Lira.
Më 8 janar, policia e përzuri gazetën "TemA" nga zyrat e saj në një godinë pronë e qeverisë, pavarësisht një urdhri të gjykatës kundër largimit. Konflikti u nxit më 16 dhjetor, kur Ministria e Ekonomisë anuloi pa paralajmërim një kontratë 20-vjeçare, që gazeta kishte për mjediset e saj në godinën pronë qeveritare, duke e detyruar të përditshmen të ankohej në gjykatë.


Qeveria tha se po e largonte gazetën nga mjediset e saj për arsye të sigurisë kombëtare. Më 6 janar, Gjykata e Tiranës e urdhëroi Ministrinë e Ekonomisë ta ndalonte procesin e largimit, por tri ditë më vonë, policët rrethuan zyrat e "TemA"-s dhe përdorën forcën për të mos i lënë gazetarët të hynin.

Ministria e Ekonomisë mohoi ekzistencën e motiveve politike në përzënien e gazetës dhe, me një deklaratë, pretendoi se nuk e kishte marrë kurrë urdhrin e gjykatës, ndërsa anulimi i kontratës ishte "i nevojshëm për detyrime publike". BMW-ja e Bazes u dogj në vigjilje të Vitit të Ri, për të cilën Baze tha se ishte sulm, por policia e përshkroi si djegie nga një qark i shkurtër elektrik.


Nina Ognianova, koordinatorja e programit të CPJ-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, në një deklaratë tha: "Metoda të tilla frikësimi ndaj medieve kritike me qeverinë, nuk janë në përputhje me rrugën demokratike që ka zgjedhur Shqipëria."
*Marrë me shkurtime nga Agjensia BIRN


Deklarata nga Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Forumi Shqiptar për Mediet e Lira
"Qeveria të distancohet nga kërcënimet me vdekje për gazetarët"

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Forumi Shqiptar për Mediet e Lira, shprehin shqetësimin e tyre të thellë për kërcënimin publik dhe përshkrimin patologjik të një skene horrore vrasjeje ndaj gazetarit Mero Baze, botuar në gazetën "Koha Jonë". Gazeta bën thirrje publike për vrasjen e gazetarit kritik me qeverinë dhe përshkruan jashtë çdo etike njerëzore skenën e mundshme të krimit.


Duke pasur parasysh se mbi gazetarin në fjalë ka pasur një sërë presionesh nga qeveria shqiptare dhe njerëz afër saj, që kulmuan me bllokimin me policë të gazetës së tij dhe djegien e makinës para shtëpisë, ky kërcënim i ri publik ndaj tij nga një gazetë e afërt me qeverinë, është një goditje e rëndë ndaj lirisë së shtypit dhe një humbje flagrante e etikës së medias ndaj kolegëve të saj.


Ne, shoqatat e gazetarëve shqiptarë, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të mos inkurajojë në gazetat që ka nën kontroll kërcënime të tilla publike për vrasje gazetarësh dhe të distancohet publikisht nga ky akt. I bëjmë thirrje drejtësisë shqiptare të marrë vetë iniciativën të hetojë dhe të çojë para drejtësisë botuesit e kërcënimeve të tilla, që të krijojnë një klimë terrori dhe frike mbi medien shqiptare kritike me qeverinë.
Ne, shoqatat e gazetarëve shqiptarë, mbështesim fort dhe pa asnjë mëdyshje gazetarët shqiptarë në punën e tyre të përditshme dhe do të bëjmë përpjekje të pareshtura që, kërcënime të tilla, të mos gjejnë më vend në faqet e shtypit shqiptar, por as në mendësinë e qeverisë shqiptare.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›