E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojet do të kthehen në bregdet

26/02/2009  Kryeministri Sali Berisha sqaron procedurat e kompensimit të pronave

“Pa kompensim procesi nuk mund të kompletohet, sepse zëniet janë shumë të mëdha”

Qeveria do të mundësojë kompensimin e pronave në zona turistike bregdetare. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave ka theksuar se gjatë një periudhe të caktuar një grup ad hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë. Sipas tij, këto troje ndodhen në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve, ku janë identifikuar mijëra hektarë. Kryeministri Berisha ka vlerësuar se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. Ai ka nënvizuar rritjen e çmimit të trojeve në kryeqytet, të cilat sipas tij janë aktualisht kanë arritur në 2 mijë euro dhe në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen, apo të kompensohen, kur është e mundur. Pa faktorin “kompensim” ky proces nuk mund të kompletohet në asnjë mënyrë, sepse zëniet e sipërfaqeve janë shumë të mëdha dhe janë jashtëzakonisht të kushtueshme”, - deklaroi ai. Shefi i ekzekutivit ka nënvizuar se harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do të mund të përdoret një sipërfaqe e madhe që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Sipas tij, tashmë mbetet për të përcaktuar procedurën e transferimit, të dorëzimit dhe mënyrën si do të shpërndahet kjo sipërfaqe. “Opinionet mund të jenë të ndryshme, por unë gjykoj se ky është një detyrim absolut yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish-pronarët ky proces nuk mund të marrë zgjidhje. Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t’u ofrojë pronarëve troje turistike”, - ka deklaruar ai. Për kreun e qeverisë këto troje mund të përdoren në përputhje me parimet e platformën zhvillimit të turizmit, por në këtë mënyrë përdoren sot edhe trojet private, për të cilat ka një përcaktim se cilat prej tyre do të mund të përdoren për zhvillimin e turizmit. “Natyrisht, trojet që u ofrohen pronarëve do të jenë troje që mund të përdoren dhe jo që përjashtohen nga kritere përjashtuese për ndërtime. Territoret janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet: ai i Shkodrës dhe Pogradecit”, - bëri të qartë kreu i qeverisë. Ai shpjegoi se duhet të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. Kryeministri Berisha theksoi se studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit. Ai u shpreh se është e domosdoshme që javën e ardhshme të vijnë në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi, pasi duhet bërë çdo përpjekje për të kompensuar pronarët, nisur nga detyrimi që rrjedh nga thelbi i sistemit. Kreu i qeverisë tha se Parlamenti ka bërë një ligj shumë të mirë, që detyron qeverinë që 10% të çdo privatizimi ta kalojë si fond kompensimi. Sipas tij, zgjidhja është vënia në dispozicion e disa mijëra hektarë troje turistike.

Reagimi i PS-së

Partia Socialiste deklaron se Kryeministri Berisha mashtron popullin lidhur me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Anëtari i Asamblesë Kombëtare Ilir Gjoni mendon se, nëse se ka një qeveri që ka abuzuar me të drejtën e pronës e me pronarët e vjetër, është qeveria e Sali Berishës. “Do të mbahet mend si kryeministri që pronësoi e pasuroi familjen e miqtë e familjes, ndërkohë që korrupsionin me pronat publike e private në qeverinë e tij kapi nivele të frikshme. I kërkojmë Sali Berishës të fokusohet te garantimi i së drejtës së votës më 28 qershor, sepse pronarët e vjetër, ashtu si gjithë shqiptarët, nuk presin asgjë nga Sali Berisha veç daljes së tij nga zyra ku nuk ua ka zgjidhur, por ua ka shtuar hallet”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›