E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e ngujuar, tentativë për gjakmarrje

SHKODËR/ Një nga familjet së cilës i janë kthyer fëmijët ka kërkuar ndihmën e policisë teksa ka parë gjaksit

SHKODËR - Kanë vetëm pak kohë që janë kthyer nga qendra në Poliçan ku nuk kishin me se të ushqeheshin, por tashmë iu duhet të ndeshen me rrezikun e jetës. Një nga familjet e ngujuara, katër fëmijët e së cilës ndodheshin deri para një muaji në Poliçan, kanë njoftuar dje policinë me frikën se njerëz të fisit me të cilin ata janë në gjak, janë parë pranë shtëpisë së tyre.


Kjo gjë ka bërë që shefi i sektorit të rendit dhe sigurisë publike në drejtorinë e policisë së qarkut Shkodër, Ridvan Bushati, të marrë masat e duhura për të parandaluar ndonjë pasojë të rëndë që mund të ndodhte. Një grup i uniformave blu ka patrulluar në zonë, megjithatë familjarët tashmë ndihen të rrezikuar për fëmijët e rikthyer.

Të afërm të fëmijëve të ngujuar, rreth një muaj pas mbylljes së qendrës e cila u jepte atyre mundësi shkollimi, si dhe qëndrimi larg personave me të cilët ishin në gjak, kërkojnë nga shteti rihapjen e qendrës.


Ata kërkojnë edhe që në krye të qendrës të jetë një grua, dhe jo një burrë, pasi atje do të ketë edhe vajza, dhe jo vetëm djem. "Nuk lejojmë që fëmijët të shkojnë në Poliçan ku të ketë drejtues meshkuj dhe prej atyre që kanë luajtur me bukën e këtyre fëmijëve. Është rreziku i tyre që kanë rënë në gjak, por shteti kur ka hapë qendrën e fëmijëve të ngujuar, të kujdesej për to.


Duam kujdestare e drejtuese femra, le t'i zgjedhë shteti vetë se kush janë ato, por jo meshkuj. Dy mbesat e nipi im le të vriten, dhe në Poliçan nuk do të shkojnë për sa kohë atje është drejtor një burrë dhe pushtetar që është përfshirë në shpërdorimin e fondeve të qendrës", deklaron për gazetën "Shekulli" Mark Nika nga Shala e Dukagjinit në Shkodër, i cili ka tre fëmijët jetimë të motrës së tij të ngujuar.


"Shteti nuk duhet të luajë me ne dhe të thotë dërgojini fëmijët në Poliçan, ndërsa atje nuk sigurohet ushqim, pasi ai vidhet dhe nuk ka njeri të përshtatshëm, një nënë, që t'u qëndrojë afër këtyre fëmijëve të rritur me stresin e ngujimit dhe frikën se mund të vriten. Kjo është sa për të kaluar radhën, pasi ne nuk i dërgojmë fëmijët pa ditur se çfarë duarsh i marrin dhe kush kujdeset për ta. Le të qëndrojnë këtu pa bukë, pa shkollë e me plumbin pas veshit",- shprehen prindërit e fëmijëve të ngujuar.

Fëmijët e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar të Poliçanit u kthyen nëpër shtëpitë e tyre rreth një muaj më parë, pas një denoncimi të kryer nga drejtoresha e kësaj qendre për abuzime me fondet.


Liljana Luani deklaroi se fondet po vidheshin në një kohë që fëmijët nuk po ushqeheshin dot dhe gjithçka kishin për të ngrënë vinte nga të afërm të tyre. Ajo denoncoi në prokurori për këto abuzime, duke kërkuar hetimin.


Por ndërkohë, rreth 20 familje shkodrane, të cilat kishin fëmijët e tyre në këtë qendër i tërhoqën pasardhësit e tyre nëpër shtëpi, pasi sipas tyre, ata i ishin lënë në besë drejtoreshës Luani dhe si rrjedhojë nëse ajo nuk ishte, edhe fëmijët nuk mund të rrinin më në qendër.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›