E Diel, 1 Nëntor 2026

Botohet fjalori i parë i arkeologjisë

 

Ai është si një manual pune, që mund t'i hyjë në punë shumëkujt. Përmes tij mund të zbërthesh shumë nga "sekretet" e botës antike, të mësosh më shumë për mbretërit, perandorët, rrënojat mbi të cilat dikur shkëlqenin qytete. Fondacioni Trashgimia Shqiptare (Albanian Heritage Foundation) prezantoi dje në ambientet e Akademisë së Shkencave, publikimin e tij më të fundit, "Fjalorin për termat arkeologjike", i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe. Vepra mban për autorë specialistët e arkeologjisë Ardit Miti dhe Eglantina Serjani, nën redaktimin e arkeologut, Prof. Neritan Ceka. Fjalori përfshin 1983 fjalëterma, ose zëra të cilët variojnë që nga periudhat historike dhe ato gjeologjike, faktet dhe ngjarjet, fiset dhe popujt, evolucioni njerëzor dhe besimet e ritet, biografitë mbi jetën e mbretërve, perandorëve, koleksionistëve, studiuesve etj., shtetet dhe institucionet, qendrat arkeologjike dhe kulturat, arti dhe arkitektura, elemente, monumente dhe artifakte, teoritë dhe praktikat deri në shkencat dhe disiplinat ndihmëse, disa prej të cilave i prezantohen për herë të parë lexuesit shqiptar. Nuk mungojnë edhe ilustrimet. Janë 172 syresh, si dhe dy tabela, njëra e periudhave historike, e cila prezanton periodizimin në territorin e Shqipërisë, krahas atij të territoreve të Greqisë, Maqedonisë, Kosovës, Ballkanit dhe Evropës Qendrore e Perëndimore; ndërsa tjetra që paraqet periodizimin gjeologjik të rruzullit tokësor. Të dyja këto tabela janë paraqitur në shkallë për të dhënë idenë e shtrirjes së periudhave, kulturave dhe qendrave arkeologjike në hapësirë dhe në kohë. Sipas autorëve, fjalori do të jetë një instrument i vlefshëm si për studentët dhe profesionistët, të cilëve ju jepet akses i shpejtë dhe referues (nëpërmjet bibliografisë) për terma të njohur apo të panjohur për ta, gjithashtu edhe për të interesuarit në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore që do të kenë lehtësi në të kuptuarin dhe njohjen e terminologjisë. Ky fjalor është një mjet i dobishëm pune dhe për specialistët në fushën e turizmit, në puneë e tyre me guidat turistike, por dhe për specialistë të fushave të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›