E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meshtari i kishës së Laçit merret i pandehur

 

KURBIN - Thirret si i pandehur në gjykatë frati i Kishës së Shën Ndout, Patër Mikel Pllumbaj. Ai akuzohet për fyerjen e Astrit dhe Ylli Vlashit, të cilët e dhunuan atë brenda kishës në sy të qindra besimtarëve dhe më pas u arrestuan. Sipas tij, edhe pse është e njëjta gjykatë që ka dënuar njërin nga vëllezërit, ajo ka pranuar denoncimin e tij, pas daljes nga burgu. Meshtari Patër Mikel Pllumbaj pohoi dje se ishte thirrur në gjykatë si i pandehur ndërsa për pak ditë niste çështja. “Sapo kam mbaruar Meshën e Shejtë, pasi sot (dje) është ditë e martë dhe vijnë shumë pelegrinë nga të gjitha rrethet, tek dera më priste një përfaqësues i Gjykatës së Kurbinit. E prita tek zyra dhe më dha një fletë-thirrje, ku unë duhet të paraqitesha në gjyq pas dy ditëve, pasi më kanë akuzuar Astrit dhe Ylli Vlashi. Ata në prezencë të qindra besimtarëve hynë dhunshëm në kishë dhe më sulmuan kur po kremtoja meshën”, u shpreh patër Pllumbaj. Sipas tij, zanafilla e këtij konflikti është ndërtimi i një lokali në territorin e kishës ku ai disponon certifikatën e pronësisë si institucion. Ndërkohë që dy vëllezërit kishin marrë lejen e ndërtimit, si dhe një akt pronësie me titull tokë buke, ndërkohë që ky territor është mal. Ai u shpreh se është kundër ndërtimit të lokalit në territorin e kishës, pasi objekte të tilla bien në kundërshtim me ritet fetare, si dhe janë shqetësim për besimtarët. “Në shumicën e rasteve lënë muzikën e lartë kur ne bëjmë meshë, po kështu në afërsi të lokalit ata mbajnë bagëti të ndryshme si derra, qen dhe bagëti të imta. Ata kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë probleme dhe konflikte me punonjësit e kishës”, u shpreh më tej Patër Pllumbaj. “I bëj thirrje presidentit Topi, nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, kryeministrit Berisha, prokurores Ina Rama dhe Ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani, që t’i thirrin ndërgjegjes dhe të shikojnë problemet që po krijon gjykata”, tha frati i kishës.     r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›