Kandidati i PSV 91 padi Alfred Moisiut
TIRANE – Raporti “Për një Parlament të pastër”, i publikuar pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit duket se do t’i sjellë jo pak probleme kryehartuesit të tij, ish-presidentit Alfred Moisiu. Një dosje që mban si palë të paditur ish-presidentin e Republikës, Alfred Moisiu është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. Referuar materialeve të dosjes, Moisiu paditet për akuzën e “shpifjes”. Pas mbërritjes në gjykatë, shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Arben Micko, si shqyrtuesin e kësaj dosjeje. Ndërsa seanca e parë e shqyrtimit të saj është caktuar në datën 16 tetor. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se “iniciatori” ka qenë Nazmir Bilani një nga tre personat që paditën ish-presidentin Moisiu pak ditë përpara zgjedhjeve për “shpifje”. Në padi Bilani, kandidati për Partinë Socialiste të Vërtetë ’91 kërkonte dënimin e ish-presidentit, si edhe dëmshpërblim monetar. Padia fillimisht është bërë në prokurori, por organi i akuzës ka konstatuar se objekti i dosjes është çështje civile dhe e ka kaluar atë për shqyrtim në gjykatë. Në seancat e shqyrtimit do të jetë i pranishëm edhe një prokuror, i cili nëse konstaton fakte penale mund të rihapë dosjen. Ish-presidenti Moisiu u padit nga 3 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit pak ditë para zgjedhjeve. Nazmi Bilani, Vangjel Tavo dhe Asllan Dogjani, paditën Moisiun për “shpifje”, pasi në raportin e publikuar nga ish-presidenti ata konsideroheshin si persona të padenjë për të mbajtur postin e deputetit.