E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Qerimi, kur rolet flasin për aktorin

 

alma mile

Zëri karakteristik, vetulla e harkuar tepër e bën portretin e tij të pangatërrueshëm. Kanë kaluar kohë qysh nga roli i tij i fundit, megjithatë, kush ka parë teatër para viteve ’90, apo vazhdon të ketë për zemër filmat e vjetër shqiptarë, nuk mund të mos kujtojë aktorin Luan Qerimi. Sot ai mbush plot 80 vjeç. Një ditëlindje pa shumë bujë, si shumë syresh që ka kaluar vitet e fundit. Nuk i pëlqejnë ceremonitë pompoze. Preferon të shijojë qetësisht përditshmërinë, pranë familjes, duke lexuar, apo duke parë filma klasikë, që i kujtojnë kohën, kur merrte duartrokitje pa fund nga publiku. Nuk i kanë munguar ofertat për role të ndryshme, edhe pas daljes në pension, por aktori dëshiron që publiku të ruajë për të imazhin e dikurshëm, kur ai ishte në kulmin e karrierës. Luan Qerimi i përket asaj plejade aktorësh që e ngritën teatrin shqiptar. Ishte i prerë më së shumti për role karakteresh dhe janë pikërisht këto personazhe, që nguliten më shumë në mendjen e shikuesit. Ka luajtur role heronjsh, si ai i Sulejman Vokshit, baballarësh, oficerësh, kuestorësh, bajraktarësh,... herë i veshur me uniformë ushtarake, herë si malësor, herë si gangster me xhaketë kuadratesh, herë me mustaqe të gjata... dhe gjithnjë ka tërhequr vëmendjen me lojën e tij të natyrshme, larg patetizmave, prej të cilit ka vuajtur teatri shqiptar. E ndonëse përbën një shkollë të gjallë, nuk dëshiron të japë mend, të bëjë krahasime mes “kohës së tij” dhe kësaj të sotshmes, ndonëse tërheqja tregon se mënyrat e reja të organizimit të punëve sot, në teatër e kinematografi nuk i shkojnë shumë për shtat. I përket një brezi, që rolit i hynin me themeli dhe e ka të pamundur të ndjekë të tjera “rregulla loje”.
Luan Qerimi lindi në 15 tetor të vitit 1929, në qytetin Lushnjës. Ashtu si edhe shumë kolegë të tij, nisi të aktivizohej në moshë të re me trupat amatore. Do të ishte koha e kryerjes së shërbimit ushtarak, kur ai do të binte në sy për talentin e tij, gjatë shfaqjeve që organizoheshin me Teatrin e Ushtrisë. Teatri Popullor, sot Kombëtar, që aso kohe ishte në hapat e tij të parë, ishte i etur për talente të rinj, për zëra të fuqishëm, si ai i Qerimit, ndaj edhe pa ngurrim drejtuesit e atëhershëm e thirrën të bëhej pjesë e Trupës Profesioniste, në vitin 1954. Karriera e tij prej aktori nisi me një rol në dramën “Haxhi Qamili” në vitin 1954, për të vijua me një tjetër episodik, atë të Skënderit në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës. Por ky do të ishte vetëm fillimi, sepse regjisorët do t’i besonin atij role njëri pas tjetrit dhe sot, ai numëron plot 80 syresh në skenën e teatrit. Janë të ngulitura në mendjen e shikuesit rolet e tij në dramën “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut, në dramën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me regji të Piro Manit, në komedinë “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorrës, etj. Por ka interpretuar edhe në perla të dramaturgjisë botërore si drama “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, ku luan rolin e Ernesto Romës, interpretimet e tij tek tragjeditë shekspiriane “Hamleti” dhe “Otello”, interpretimin në dramën “Orët e Kremlinit” e N.Pogodinit etj. Në kinematografi roli i tij i parë do të ishte në vitin 1975, në filmin “Lulëkuqet mbi mure”, për të vijuar me role të tjera të spikatura, si ai i Kalosh Camit në filmin “Shembja e idhujve” në vitin 1977, ai i plakut të Përkolajve në filmin “Besa e kuqe”, ai i Francesk Lukut në filmin televiziv “Koha nuk pret” në vitin 1984, rolin e babai të Merit në filmin “Vdekja e kalit” në vitin 1992. Roli i tij më i fundit është në filmin televiziv “Qëndresa 2” prodhim i “KosovaFilm” në vitin 1998. Për meritat e tij artistike Luan Qerimi në vitin 1989 është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Po atë vit del në pension. Do të vazhdonte të aktivizohej edhe për pak, për t’u tërhequr përfundimisht nga skena dhe ekrani.

rolet

Teatër

“Arturo Ui”
“Cuca e Maleve”
“Votra e ujit”
“Epoka para gjyqit”
“Besa e madhe”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Hamleti”
“Mbreti Lir”
“Otello”
“Qielli i kuq”
“Toka jonë”
“Sinjali i kuq”
“Lezja”
“Heronjtë e Linasit”
“Lulet e shegës”
“Karnavalet e Korçës”
“Orët e Kremlinit”...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›