E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten 1.7 kg flori, ora e diamante

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Grabitet gjatë natës dyqani i florinjve, duke i shkaktuar pronares së saj një dëm prej 4 milionë lekësh. Nga hetimet e para rezultoi se është çarë muri ndarës mes dyqanit dhe një kafeneje ngjitur me të. Butiku, pronë e Eliverta Duros, ndodhet në vargun e dyqaneve të ish-mapos në bulevardin qendror të qytetit. Dje në mëngjes, kur Duro ka hapur dyqanin e saj, ka konstatuar se banaku ku ajo mbante bizhuteritë e arta, por edhe raftet ku ndodheshin orët e dorës, ishin boshatisur. Ajo vërejti se personat ishin futur nga pjesa e pasme e dyqanit, duke çarë murin ndarës me kafenenë ngjitur. Pronari i kafenesë deponoi se e kishte mbajtur të hapur atë deri pas mesnate. Pa prekur asgjë ajo ka njoftuar policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se personat kishin arritur të futeshin në lokalin ngjitur duke thyer xhamat e saj. Më pas ata kanë arritur të hapin një vrimë të madhe në mur e të depërtonin nëpërmjet saj tek dyqani i bizhuterive e veshjeve. Sipas pronares së dyqanit, dëmi i shkaktuar shkon në 4 milionë lekë. “Kisha vetëm një javë që mora një furnizim me bizhuteri të arta e diamante, si dhe ora dore. Të gjithë furnizimin nuk e kam paguar ende. Nuk e di si do të bëj të likuidohem me pronarin e mallit tani që gjithë bizhuteritë me një peshë 1.7 kg flori si dhe orët mu vodhën”, u shpreh dje me lot në sy e dëmtuara. Nuk është hera e parë që dyqanet e ish-mapos së Korçës, të cilët i ndan vetëm një mur me njëri-tjetrin janë bërë pre e grabitjeve. Në 3 shtator një tjetër dyqan u vodh. “Unë bëra denoncim në polici, u tregova edhe se tek kush dyshoja, por policia më tha se nuk kishin prova. Ne jemi të pasigurt sepse brenda vitit në këtë pellg janë vjedhur 5 dyqane e asnjë vjedhës nuk është arrestuar”, u shpreh Mimoza Kame. Grupi i hetimit ka punuar gjatë gjithë ditës së djeshme për dokumentimin e vjedhjes. Mësohet se janë shoqëruar disa persona të dyshuar, por deri në orët e mbrëmjes nuk u krye asnjë arrestim. Dyshohet se vjedhësit mund të jenë disa, madje mes tyre ka edhe adoleshentë, të cilët kanë arritur të futen më me lehtësi në murin e hapur. Në Korçë vjedhja e dyqaneve të floririt është një dukuri e përsëritur, por autorët kanë mbetur gjithnjë mister.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›