E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi, u hiqet asistenca 832 familjeve

 

ELBASAN – U hiqet e drejta ekonomike 832 familjeve në qarkun e Elbasanit. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga inspektorët e Zyrës Rajonale të Shërbimit Social dhe Prefekturës, është konstatuar se fondet e dhëna nga qeveria për ndihmë ekonomike janë shpërndarë në mënyrë të padrejtë nga krerët e komunave. Drejtoresha e Zyrës Rajonale të Shërbimit Social, Alda Biçoku tha se, si pasojë e një kontrolli të ushtruar në 42 njësi vendore, për periudhën janar-shtator, është konstatuar se 832 familje trajtoheshin me ndihmë ekonomike nga pushteti lokal jashtë kritereve dhe ligjeve të vëna nga qeveria shqiptare, me një efekt financiar prej 1571 mijë lekësh. Këto shkelje u konstatuan në komunat Shushicë, Qrenjë, Qukës, Labinot Fushë dhe Shirgjan. Këtë fakt e pohon dhe Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi. “Krerët e komunave e konsiderojnë veten si të plotfuqishëm dhe me “imunitet” karshi ligjit, duke u dhënë ndihmë edhe personave të pasur, ndonëse ata posedojnë vila trekatëshe dhe makina luksoze”. Situata po kontrollohet në mënyrë të vazhdueshme, duke mbështetur ato këshilla që gërshetojnë dhënien e ndihmës ekonomike me punë për komunitetin.                            a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›