“SHIK-u arrestoi Kriston, s‘pranoi të bëhej spiun”
TIRANE /DURRES
“Agjentët e Shërbimit Sekret nuk arritën pas shumë vitesh këmbëngulje të rekrutonin Artan Kriston, ndaj u hakmorën duke i vënë prangat”. Ky është pohimi i avokatit që ka marrë në mbrojtje të arrestuarin Artan Kristo, i cili ra në pranga tri ditë më parë, i akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për propagandë dhe thirrje publike në mbështetje të veprimeve terroriste. Pasi ka marrë kontakt me klientin e tij, Ilir Malindi, avokati i Artan Kristos, tha dje se klienti i tij nuk ka konsumuar asnjë vepër penale, por vetëm ka shkruar në internet vargjet e Kuranit. Juristi Ilir Malindi është avokati që do të mbrojë Artan Kriston përpara togave të zeza të Gjykatës së Durrësit, të cilës iu delegua dje çështja me vendim të Gjykatës së Tiranës, për faktin se edhe i pandehuri është banues në Durrës. Avokati i të dyshuarit, argumenton se Kristo që njihet nga besimtarët me emrin Mohamed Abdullah, dhe me këtë identitet, ka cituar në publikimet e tij në internet vetëm Kuranin, libër ky i cili sipas avokatit, nuk nxit veprime terroriste, por përkundrazi përcjell paqen kudo mes besimtarëve. Avokati e quan cinik veprimin e shërbimeve inteligjente shqiptare, të cilat pasi dështuan në përpjekjen e tyre të gjatë për rekrutimin e Artan Kristos e vendosën atë përballë një akuze të sajuar. Sipas avokatit Malindi, agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror kanë përdorur disa metoda, vetëm për ta shndërruar Artan Kriston në të infiltruarin e tyre. “Dyshimet e agjentëve sekretë shqiptarë se Kristo radhitej mes radikalëve të islamit, duket se e kanë shndërruar atë në një njeri, që mund të dinte shumë informacione të vlefshme”, thotë avokati. Sipas tij, agjentët e Shërbimit Sekret kanë bërë të pamundurën për të bërë Kriston bashkëpunëtor të tyre, por pa pasur sukses. “Agjentët e dinin se Mohamed Abdullah mund të ishte “karremi” ideal për të marrë vesh çdo gjë mes rrjetit islamik, por duke qenë se Kristo ishte besimtar dhe nuk merrej me këto punë të ulëta, atëherë hakmarrja e agjentëve sekretë erdhi në këtë mënyrë”, akuzon më tej avokati.
Masa në gjykatë
Artan Kristo, i arrestuar tre ditë më parë pas dyshimeve të prokurorisë për nxitje të veprimtarive terroriste prej tij mohoi dje në Gjykatën e Tiranës çdo akuzë të ngritur. Togat e zeza e vlerësuan të ligjshëm arrestimin e Kristos, duke e lënë atë në qeli deri në përfundim të hetimeve me masën “burg pa afat”. I njohur edhe me emrin Mohamed Abdullah, Kristo kishte publikuar në një faqe interneti thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprimeve terroriste dhe sulmeve vetëvrasëse. Emri i përmendur si nga të dyshuarit e policisë për vrasjen e Sali Tivarit në vitin 2006 u paraqit dje në Gjykatën për vlerësimin e masës së sigurisë të marrë ndaj tij. Gjatë seancës, Kristo ka pretenduar pafajësi dhe pavlefshmëri të arrestimit të tij. “Nuk kam bërë asgjë që të përbëjë vepër penale”, mësohet të jetë shprehur Kristo përpara kryesuesit të seancës, gjyqtarit Gerti Hoxha. Në përfundim gjykata ka vendosur lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” për Kriston. Gjithashtu, gjykata ka vendosur dërgimin e akteve të dosjes për kompetencë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. o.u/a.b