E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozdo Privatizimi i Albpetrol krijon kushtet per liberalizimin e tregut te hidrokarbureve

Komisioni i Ekonomisë miratoi të martën në parim, projektligjin "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë "Albpetrol", sh.a. Patos".

"Nëpërmjet këtij procesi, qeveria synon të sigurojë investime private për zhvillimin e sektorit të naftës, të përmirësojë teknologjinë dhe sistemin e menaxhimit, standardet mjedisore në këtë sektor, si dhe të krijojë kushtet për liberalizimin e tregut të hidrokarbureve", deklaroi zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo.

Duke paraqitur termat e formës dhe strukturës së privatizmit të shoqërisë "Albpetrol", sh.a. Patos", që sanksionohet në këtë ligj të posaçëm, Bozdo tha se privatizimi i Albpetrol është strategjik. "Me privatizimin e tij ne fusim në rentabilitet Albpetrol-in", theksoi Bozdo.

Në bazë të p/ligjit parashikohet shitja e 100 për qind të aksioneve të kompanisë, një alternativë e sugjeruar nga kompania konsulente Patton/Bogss, e kontraktuar nga ekzekutivi për të vlerësuar asetet dhe formulën e privatizimit.

Kjo zgjidhje është kundërshtuar nga opozita, e cila përveç votës kundër, tha se me Albpetrolin duhet të ndiqet rruga e privatizimit të një pjese të aksioneve ose e koncesionit me një afat të parapërcaktuar dhe jo ajo e privatizimit, pasi në rastin aktual bëhet fjalë për një burim natyror.
Në kundërpërgjigje të pretendimit të opozitës, Bozdo tha se në rastin aktual nuk bëhet fjalë për privatizimin e puseve të naftës që janë burim natyror, por për privatizimin e aseteve.

Projektligji për privatizimin e kompanisë Albpetrol pritet të votohet në seancën plenare të së enjtes. Vlera e aseteve të Albpetrol llogaritet rreth 420 milionë dollarëve, fond, i cili nëse realizohet privatizimi, do të përdoret për mbulimin e kostove, ndërsa pjesa tjetër do t’i kalojë buxhetit të shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›