E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozdo: Rama dha pëlqimin për privatizimin e uzinës “Dinamo”



Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Eno Bozdo, në një dalje publike ka hedhur poshtë pretendimet e kreut të Bashkisë, Edi Rama, lidhur me të vërtetën e shkollës në zonën e Bregut të Lumit. Bozdo ka sqaruar opinionin publik se nuk është METE, që është bërë pengesë për ngritjen e kësaj shkolle. Ai tha se kryetari i Bashkisë Tiranë, dezinformoi përsëri me qëllim opinionin publik ndërsa deklaroi se qeveria e ka penguar Bashkinë Tiranë të ndërtojë një shkollë për komunitetin e banorëve në Bregun e Lumit. “Dua të ofroj provat e pakundërshtueshme që vërtetojnë se z. Rama ka dhënë pëlqimin e tij për privatizimin e uzinës “Dinamo e Re”, dhe se ndërsa bënte këtë gjë, as që i shkonte ndërmend interesi dhe nevoja që banoret e Bregut të Lumit kishin për një shkollë për fëmijët e tyre. Në dy shkresat e ardhura nga Bashkia Tiranë në muajt prill dhe nëntor 2008, z. Rama aprovon fillimin e procesit të privatizimit për terrenet e “Bregut të Lumit”, edhe pse e dinte mire që banorët e Bregut të Lumit kishin nevojë për një shkollë për fëmijët e tyre”, - sqaroi Bozdo. Bozdo tha se banorët e Bregut të Lumit duhet të njohin të vërtetën, dhe të dinë se z. Rama po i manipulon në mënyrë aspak dinjitoze, thjesht për një grusht votash. “Por nuk është ky problemi i vetëm që ne kemi me Bashkinë Tiranë. Nga një mori e madhe letrash që Ministria e Ekonomisë i dërgon Bashkisë Tiranë, në mbështetje të procesit të kthimit të pronës tek pronaret e ligjshëm, një numër minimalisht i ulët (3-4) letra kanë gjetur përgjigje. Për koincidencë, dy ndër to janë përgjigjet për rastin e “Bregut të Lumit”. Korrespondencës tjetër z. Rama dhe institucioni që ai drejton nuk denjon t’i përgjigjet. Për të e drejta e pronësisë nuk ekziston, të rëndësishme lejet e ndërtimit për apartamentet që do të ndërtohen”, - theksoi dje Bozdo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›