E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, biznesi i rajonit, takim në Tiranë



Rritja e bashkëpunimit të biznesit rajonal do të ndikojë në uljen e efekteve të krizës financiare ndërkombëtare në vendet e Ballkanit. Në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, kryesinë e së cilës e mban Shqipëria, që u zhvillua dje në Tiranë, u diskutua mbi efektet e krizës globale mbi ekonomitë e vendeve të rajonit dhe masat e marra nga biznesi për përballimin e saj. Në këtë takim merrnin pjesë zv.kryeministri Genc Pollo, përfaqësuesit e unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Turqisë, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ndërkohë që pjesëmarrjen më të madhe e kishte delegacioni turk në përbërjen e të cilit ishin industrialistë dhe bankierë. Zv.kryeministri Pollo u shpreh se "ky takim me përfaqësues të biznesit nga të gjitha vendet e rajonit është jo vetëm një ngjarje e rëndësishme, por dhe një tregues i zhvillimit, të cilin e ka arritur rajoni pas rrëzimit të diktaturave komuniste". Duke u ndalur tek efektet e krizës financiare në vendin tonë, Pollo tha se për shkak të politikës fiskale, por dhe ndaj biznesit, efektet e krizës financiare janë ndjerë shumë më pak se në vendet me situatë të ngjashme. "Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me biznesin rajonal për projekte të interkonjuksionit, infrastrukturës etj., ndërkohë që integrimi rajonal ka gjetur shëmbëlltyrën e arritur për zonën e tregtisë së lirë, i cili kërkon lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon", - tha Pollo. Ndërsa Ilir Zhilla, president i Asamblesë, u shpreh se "ky takim merr një rëndësi të veçantë aktualisht në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare që ka përfshirë mbarë botën. "Në këtë aspekt, - theksoi ai, - synimi është që të dalim me masa konkrete si përfaqësues të bizneseve për përballimin e kësaj situate, me aq sa shfaqet ajo në rajonin tonë". Asambleja diskutoi dhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare në rajon, si dhe lehtësimin e barrierave doganore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›