E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Lushnjës”, prokurori kërkesë drejtuar Sektorit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve



Petrit Liçi

I penduari, dëshmitar për prerjen e kokës së Tur Dajës

Gjyqi caktohet, për pas dy javësh. Organi i akuzës kërkon sjelljen nën masa të rrepta sigurie e të penduarin Liçi, i cili dëshmoi edhe për grupin e parë të bandës famëkeqe. Pranohet kërkesa, dëshmi për episodin e prerjes së kokës së Tur Dajës, rivalit të Aldo Bares dhe funksionimin e grupit kriminal

Organi i akuzës kërkoi dje sjelljen e të penduarit që zbardhi gjithë krimet e kryera nga “Banda e Lushnjës”, për të dëshmuar para gjykatës. Por, që të sigurohet ardhja e tij në gjykatë, prokurori Gentian Trenova kërkoi që togat e zeza t’i drejtohen Sektorit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve që të sigurojnë sjelljen, por edhe sigurinë e këtij shtetasi për të dëshmuar për episodin e prerjes së kokës së rivalit të Aldo Bares, Artur Dajës, si dhe funksionimit si bandë kriminale e këtij grupi. Petrit Liçi, i penduari që hodhi dritë mbi krimet e kryera nga “Banda e Lushnjës”, do të paraqitet sërish në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kësaj radhe jo brenda kafazit, por si dëshmitar dhe i penduar njëkohësisht. Fakti u bë i ditur dje në sallën e gjyqit gjatë procesit ndaj të pandehurve të grupit të dytë të “Bandës së Lushnjës”, për episode për të cilat ka qenë i pranishëm apo ka dijeni se kush kanë qenë autorët. Gjithashtu, dëshmia e Liçit do të merret edhe për një tjetër proces gjyqësor, aty ku janë duke u gjykuar dy krerët e bandës, ndonëse në mungesë, Aldo Bare e Enver Dondollaku. Dëshmia e Liçit konsiderohet e një rëndësie të veçantë, pasi, sipas burimeve, ai pritet të hedhë dritë mbi disa nga veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit, ndër të cilat vrasja e Artur Dajës dhe shëtitja e kokës së tij të prerë nëpër qendrën e qytetit të Lushnjës, si dhe mënyrën e funksionimit të kësaj bande famëkeqe kriminale. Ndërkohë që për shumë kohë ky person ka ndenjur me personin që e rekrutoi, Erion Cicin, i cili ishte mjaft afër kapos së bandës, Alfred Shkurtit. Dje, gjykata dhe prokurorët kanë caktuar datën 27 mars ditën kur i penduari do të paraqitet për të dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dëshmia e Petrit Liçit përcakton në një farë mënyre edhe dënimin apo deklarimin fajtorë të të pandehurve të pjesës së parë të bandës, ata që u përcaktuan nga prokurorët e çështjes të rolit bazë, pra ekzekutorët. Të pandehur në procesin e dytë që po zhvillohet janë Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Ciçi, Arjan Aliçaj, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina. Këta persona, të akuzuar si pjesë e “Bandës së Lushnjës”, akuzohen për disa vepra penale, ndër to edhe vrasje të ndodhura disa vite më parë në Lushnje. Ky grup është përcaktuar nga përfaqësuesit e akuzës, roli i dytë në funksion, përkatësisht njerëzit që rrinin më pranë kapos dhe që përcillnin urdhrat për ekzekutim tek ekzekutorët. Në proces gjykimi në këtë gjykatë është edhe Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, i njohur si krahu i djathtë i tij, të cilët po procedohen në mungesë. Këta janë kryesorët e “Bandës së Lushnjës”, nga ku buronin planet për atentate e vrasje të ndryshme. Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa Dondollaku në Itali. Procesi ndaj këtyre të fundit po vijon në gjykatë, pas kthimit të përgjigjes me letër-porosi nga i pandehuri Bare, i cili kërkon zhvillimin e gjyqit në mungesë të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›