E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozdo: Rritja e çmimit të energjisë do te jetë minimale

 

Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë minimale. Kështu është shprehur dje zëvendësministri i Energjetikës Eno Bozdo. Pas miratimit nga Kuvendi të kontratës së shitjes së OSSH-së, Bozdo ka sqaruar në detaje të gjitha pikat e kësaj kontrate. Për këtë vit nuk do të ketë rritje të çmimit të dritave, ndërsa për vitet e ardhshme rritja e saj do të jetë në nivele minimale. “Ne kemi siguruar një politikë sociale të fortë, për sa i përket shtresave në nevojë dhe ekspozimit të tyre kundrejt rritjes së çmimit të energjisë. Viti 2009 nuk do të njohë rritje çmimi, ndërsa në vitet në vijim balancimi do të mundësohet nëpërmjet energjisë mjaft të lirë që vjen nga HEC, që vazhdojnë të jenë pronë publike, si dhe reduktimit të humbjeve dhe rritjeve të arkëtimeve që vetë kompania do të mundësojë”, u shpreh dje Bozdo.
Sipas tij, çmimi i shitjes së OSSH-së është çmimi më i mirë i shitjeve të ngjashme në rajon. “Në kontratën e shitjes janë të parashikuar me hollësi elementet rregullatorë, si detyrimi i kompanisë CEZ, për të pakësuar 17% humbjet në periudhë 5 vjeçare, për të rritur minimalisht arkëtimet 1% për çdo vit, të pamundura këto pa investuar së paku 200 milionë euro për sistemin e shpërndarjes”, tha zëvendësministri i Energjetikës. Sipas tij, ata kanë mundësuar furnizimin 100% me energjie elektrike të popullatës. Gjatë deklaratës së tij, Bozdo theksoi se në vitet 2002-2004, sipas studimeve të ERE-ës, qeveria e atëhershme, duke pasur një prurje ujore më të lartë ka aplikuar ndërprerje në furnizim të popullatës me energji 38% më shumë se në vitet 2006-2008. “Kjo në një kohë kur çmimi mesatar i blerjes se energjisë në vitin 2002-2004 ka qenë 32 euro ndërsa në vitet 2006-2008 ka qenë 69 euro”, ka theksuar Bozdo. Shitja e OSSH-së është cilësuar si një ndër proceset më të vështirë por dhe më të rëndësishëm të privatizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›