Sarkozi mbështet Berishën: Shqipëria, anëtare e BE-së
ADI SHKEMBI
Tre ditë para se Shqipëria të dorëzojë kërkesën për statusin kandidat në BE, Franca mbështet fuqimisht këtë hap të Tiranës zyrtare. Presidenti Nikola Sarkozi konfirmoi dje gjatë një takimi me kryeministrin Berisha faktin se vendi ynë do të jetë anëtar i Bashkimit Evropian dhe për këtë proces nuk ka kthim mbrapa. “Presidenti Sarkozy i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, u shpreh Presidenti Sarkozy, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Gjatë këtij takimi Presidenti Sarkozi u shpreh se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. Franca mbështet të gjithë proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë. “Presidenti Sarkozy shprehu falënderimet gjithashtu, për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez. Ai u shpreh se qeveria franceze do të punojë dorë më dorë me qeverinë shqiptare dhe ju do do të keni gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen tonë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. nga ana e tij kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi rolin e Francës në integrimin e Shqipërisë në NATO, teksa shtoi se vendi ynë ka qenë një ndër vendet që ka vuajtur më shumë nga mungesa e sigurisë në vend. “Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndjerë edhe më e sigurt. Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë takimit. Kreu i qeverisë u shpreh se për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE janë ndërmarrë reforma të thella ndërsa premtoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një tjetër çështje e diskutuar gjatë këtij takimi ka qenë procesi zgjehdor i 28 qershorit. “Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të qershorit, Kryeministri Berisha tha se qeveria që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. “Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike”, u shpreh kreu i ekzekutivit. “Presidenti Sarkozy u shpreh se së shpejti do të vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se e gëzonte së tepërmi ky lajm dhe Presidenti Sarkozy do të jetë Presidenti i parë francez që viziton Shqipërinë dhe se do të pritet nga një popull që e do dhe e vlerëson, veçanërisht një popull mirënjohës ndaj mbështetjes që Presidenti Sarkozy dhe qeveria franceze i kanë dhënë proceseve integruese të Shqipërisë”, përfundon njoftimi zyrtar.
Berisha me biznesin francez: Shqipëria do i rezistojë krizës
Kryeministri Berisha tha dje gjatë një takimi me shoqatën e biznesit francez se Shqipëria do ti rezistojë krizës ekonomike gjatë këtij viti. Sipas tij rritja ekonomike vitin e kaluar ishte 8 për qind, teksa shtoi se edhe gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike. “Kryeministri Berisha shprehu bindjen se ekonomia shqiptare do t’u rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se të gjithë investitorët që kanë nisur projektet e tyre në Shqipëri, nuk kanë njohur lëkundje, ndalje, e aq më pak tërheqje nga projektet e tyre madhore, me gjithë krizën ekonomike globale”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Proceset integruese në vendet e rajonit, tha Kryeministri Berisha, kanë kërkuar realizimin e reformave të thella, por Shqipëria është e vendosur që këto reforma t’i ketë si udhërrëfyese dhe ajo do të vazhdojë edhe më tej rrugën e tyre, për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të së drejtës në vend, si dhe ngritjen e një ekonomie moderne dhe të zhvilluar, bazuar në parimet e ekonomisë së lirë të tregut. “Duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, Kryeministri tha se qeveria shpalli që në fillim tolerancë zero në këtë luftë. Si rezultat i luftës së suksesshme, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve Shqipëria doli nga harta e vendeve të zeza të trafikut, duke theksuar se tashmë indeksi i krimit në Shqipëri është një nga më të ulëtit në krahasim me mesataren evropiane dhe vendeve të NATO-s”, vijon më tej njoftimi për shtyp.