DEBATI I EKSPERTEVE -
Aristir Lumezi
Marrëveshja për kartat e identitetit ka ngecur në një nga elementët që kanë kërkuar socialistët. Pas negociatave dy ditore mes ekspertit të qeverisë, këshilltarit të kryeministrit Oerd Bylykbashi dhe nënsekretarit juridik socialist, Damian Gjiknuri, draftvendimi ende nuk është mbyllur. Qeveria nuk ka pranuar propozimin e bërë nga socialistët për një stacion për të gjitha veprimet që kërkon aplikimi për kartë, ose siç ata e kanë cilësuar “One stop shop”. Ky moment ka qenë dhe çështja ku socialistët kanë këmbëngulur për të përfituar sa më shumë në kohë nga thjeshtimi i procedurave, që pritet të bëhen në një zyrë, në atë të aplikimit. Socialistët kanë kërkuar që në atë zyrë ku do të bëhet aplikimi, të bëhet dhe pagesa prej 200 lekësh të reja. Sipas kësaj procedure, do të shmangej radha në sportelet e postës dhe aplikantit i mbetej edhe një herë për të pritur në radhë, në momentin që do të merrte kartën. Pritet që kthimi i kryeministrit Berisha, i cili mungoi për dy ditë nga Shqipëria, për shkak të vizitës së tij zyrtare në Francë, të jetë vendimtar për këtë pikë në të cilën kanë ngrirë negociatat për të përfunduar këtë marrëveshje. Por dy partitë kanë rënë dakord për çmimin 200 lekë të reja, për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaportë dhe që nuk janë në rrogë. Palët kanë shprehur vullnet deri në një pikë që t’i japin fund zvarritjeve me kartat e identitetit, edhe pas ndërhyrjes së Trojkës Evropiane dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers. Nga ky vendim do të përfitojnë studentë, pensionistë, qytetarë të trajtuar me ndihmë ekonomike, të papunë si dhe kategoritë e tjera sociale, të cilët duhet të aplikojnë për kartë brenda datës 20 qershor. Pas kësaj date, kartat e identitetit do të kenë çmimin e tyre real, 1200 lekë të reja. Nga selia rozë kanë munguar deklaratat ditore për rrezikun e dështimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, për shkak të mospajisjes me karta të një kategorie prej 700 mijë votuesish, që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit. Kjo ka ardhur nga predispozicioni që tregoi qeveria për të zgjidhur këtë ngërç, por që deri dje në darkë vonë rezultoi jo i kompletuar. Në fakt njësitë vendore, por dhe partitë politike, kanë nisur të punojnë për të evidentuar personat që përbëjnë kategoritë të cilat trajtohen nga vendimi i fundit i qeverisë, i cili bëri një ulje të mëtejshme për disa kategori, ndërsa për disa të tjera u dha kartat e identitetit falas. Burime pranë selisë rozë shprehen se periudha e mbetur deri në datën 20 qershor, do të jetë një sfidë për të nxitur zgjedhësit e kësaj kategorie që të shkojnë për të aplikuar për karta identiteti. Në këtë marrëveshje, PD dhe PS arritën pas një lëvizje të pritshme nga faktori ndërkombëtar në Tiranë, si Trojka Evropiane dhe ambasadori amerikan, Xhon Uidhers. Ambasadori i BE-së, Helmut Lohan, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch dhe ambasadorja çeke, Marketa Fialkova, vendi i së cilën kryeson presidencën e BE-së, zhvilluan brenda 24 orëve takime me kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Edi Rama. Pas këtyre dy takimeve kanë nisur punën e negocimit ekspertët e të dy partive për të hartuar draftin, kolonat e të cilit ishin hedhur më parë mes Berishës, Ramës dhe diplomatëve të huaj.