E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian:Sa më shpejt Ballkani pa viza në vendet e BE

 

Perspektiva e anëtarësimit të ardhshëm në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është garantues primar i stabilitetit dhe drejtues i reformave, thuhet në një rezolutë të hartuar nga eurodeputetja Anna Ibrisagic dhe të miratuar dje me 305 vota pro, 35 kundër dhe 8 abstenime në Parlamentin Evropian. Anëtarësimi i plotë në BE i vendeve që i përmbushin kriteret e Kopenhagenit nuk duhet të vonohet ose mohohet, thotë në raportin e saj për deputetët e Komisionit dhe të vendeve anëtare Ibrisagic. Sipas saj, levat e BE-së në Ballkanin Perëndimor varen nga besueshmëria e angazhimit të saj për një të ardhme evropiane për rajonin. Europarlamentarja kërkoi që deputetët e Komisionit dhe të shteteve anëtare të mos e mohojnë apo të vonojnë padrejtësisht anëtarësimin e plotë për vendet që i përmbushin kriteret e Kopenhagenit. Procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në aplikim të drejtë dhe rigoroz për zbatimin e parimit të kushtëzimit me anën e të cilit çdo vend do të gjykohet vetëm në dritën e kapacitetit të tij për të përmbushur kriteret e përcaktuara. Përpjekjet duhet të bëhen për të shmangur një situatë ku mosmarrëveshjet për ritmin e integrimit të rezultojnë me ngritjen e pengesave të reja në rajon, në veçanti në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Hapja e negociatave të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe hapja e mbyllja e kapitujve të negociatave individuale nuk duhet të jenë të penguara apo bllokuara mbi pikëpyetje që kanë të bëjnë me mosmarrëveshje dypalëshe. BE-ja duhet të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar dhe lehtësuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë mbi çështjet e mbetura pezull. Disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë parashtruar ankesa ose kanë kërkuar opinione këshilluese nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Këshilli dhe Komisioni janë nxitur të zhvillojnë dialogun mbi liberalizimin e vizave me transparencë. Europarlamentarët theksojnë rëndësinë e liberalizimit të regjimit të vizave të zonës Shengen për shtetasit e Ballkanit Perëndimor, si një mjet për të njohur popujt e rajonit me Bashkimin Evropian. Një procedurë e vizave, me personel të pamjaftueshëm në konsullatat dhe ambasadat e BE-së në rajon, është përgjegjëse për të krijuar armiqësi drejt BE-së nga popujt e rajonit, thuhet në raport. Vendet e rajonit duhet të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur kërkesat e përcaktuara në planet individuale, në mënyrë që të sigurojë heqjen e regjimit të vizave për vendet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›