Hetimi i lejeve, Xhaferri: Do thërrasim Edi Ramën në komision
Komisioni hetimor parlamentar ndaj kryebashkiakut Edi Rama mblidhet vetëm me anëtarët e maxhorancës. Pesë anëtarët e PD-së janë mbledhur në sallën e Byrosë, për të realizuar konstituimin e komisionit, kjo 24 orë pas vendimit të Kuvendit për ngritjen e tij. Kryetari i komisionit hetimor parlamentar, deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri ka bërë të ditur në mbledhje disa nga pikat e planit paraprak të hetimit, si dhe miratoi Rregulloren e Brendshme të tij. Një ndër pikat e tjera të komisionit ka qenë zgjedhja e sekretarit të tij, ku anëtari Gjok Vuksani propozoi deputeten Lajla Përnaska. Komisioni e miratoi këtë propozim. Posti i nënkryetarit të komisionit i takon opozitës, por partitë e majta kanë vendosur që të mos marrin pjesë në të. “Deputetët socialistë me sa duket kanë zgjedhur të ecin sipas modelit të komisionit hetimor “Sollaku”. Deri tani nga opozita nuk ka dalë askush që të thotë se Edi Rama nuk ka abuzuar. Ata kanë thënë çdo gjë dhe në konsensus e kanë pranuar këtë fakt, ndërsa tani që vjen momenti që të hapen letrat, socialistët nuk vijnë në komision se nuk kanë çfarë të mbrojnë”. Xhaferri theksoi se do t’i kërkojmë zyrtarisht Bashkisë së Tiranës të na sjellë të gjithë dokumentacionin e mbledhjeve të lejeve të ndërtimit të paraqitura në KRRT-së, që nga 1 janari 2007 e në vazhdim. Ndërsa bëri të ditur se pjesë e planit paraprak është edhe thirrja në një seancë dëgjimore të kreut të bashkisë, Edi Rama. Gjithashtu ai theksoi se do t’i kërkohet bashkisë dhe aksesin për të shkuar atje dhe për të hetuar mbi rastet konkrete. “Në bazë të materialit, ne do të shohim se pse qëndrojnë dy studiot kryesore të Alban Eftimit dhe të Artan Shkrelit në të gjitha procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, sa kërkesa për leje ndërtimi ka pasur, sa është përqindja e tyre dhe sa është koha e miratimit të tyre për këto dy studio klienteliste, në raport me kohën e pritjes për studiot e tjera”, theksoi Xhaferri.
Bumçi: Rama rriti 4 herë shpenzimet e Bashkisë
Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun Edi Rama për shpenzimet që kryen institucioni që ai drejton. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi deklaroi dje se “shpenzimet administrative për 1 mijë banorë të Bashkisë Tiranë janë 35 % më të lartë se sa Bashkia Shkodër, 33 % më të larta sesa Bashkia Vlorë, 23 % më të larta sesa Bashkia Korçë, 40 % më të lartë se sa Bashkia Pogradec”. “Nga viti 2002 deri në vitin 2008, Bashkia e Tiranës i ka rritur 4 herë shpenzimet operative në zërin “Administrim i përgjithshëm”. Kjo është e ashtuquajtura qeverisje moderne e z. Rama, çfarë në fakt është vetëm një qeverisje mediokër. Këto fonde janë taksat e qytetareve të Tiranës të cilat Kryetari i Bashkisë duhet t’ia kthente qytetit me investime dhe jo t’i shpërdoronte për shpenzime administrative”, tha Bumçi.