E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hetimi tatimor, biznesi s’ka pse të ketë frikë”

 

Bizneset që paguajnë rregullisht taksat, që nuk kryejnë evazion fiskal apo që nuk mashtrojnë, nuk kanë pse të ndihen të frikësuar nga vendimi më i fundit i qeverisë për krijimin e drejtorisë së hetimit tatimor. Ky ka qenë reagimi i zëvendësministrit të financave, Florjon Mima, ndaj vendimit të qeverisë. Sipas tij, biznesi i ndershëm nga ka pse të ndihet i frikësuar, nga puna e kësaj drejtorie. Ai hedh poshtë edhe idenë se kjo strukturë do t’i ngjajë sigurimit të shtetit. Sipas një vendimi të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, drejtoria e hetimit tatimor ka të drejtë të paguajë informatorë për të siguruar provat e duhura ndaj një biznesi të dyshuar. Madje hetimi tatimor mund t’i sigurojë këto informata edhe përmes vendosjes së përgjuesve. Ekspertët e hetimit tatimor mund të marrin në pyetje biznesmenët njëlloj si policia e shtetit apo prokuroria. Të gjitha këto bëhen me vendim të kreut të administratës tatimore. Ndërkohë po dje zëvendësministri i financave, Mima u shpreh pro miratimit nga parlamenti të ligjit për taksat vendore. “Ligji për Taksat vendore, i cili iu kundërvu me energji dhe ndershmëri të gjitha qëndrimeve jomiqësore ndaj biznesit të vogël, të vëna re në disa komuna e bashki, e veçanërisht në bashkinë më të madhe të vendit, ku taksat vendore po njihnin veç rritje për të kënaqur makutërinë e kryetarëve të tyre, për më shumë fonde në funksion të premtimeve të ekzagjeruara elektorale” tha ai. Sipas tij, kjo rritje e sforcuar e taksave arrihej nëpërmjet tre komponentëve kryesorë, përdorimit në maksimum të diskrecionit +30%, prezantimit të taksave të përkohshme të cilat shpejt ktheheshin në të përhershme pa pasur autorizim ligjor nga Parlamenti, si dhe prezantimit të taksave të reja të maskuara në formën e tarifave por që nuk kishin asgjë të përbashkët me logjikën dhe ndërtimin e tarifave. Sipas Mimës, me miratimin e këtij ligji të ri, të gjitha bizneset e vogla të Shqipërisë duhet të ndjehen më të mbrojtura dhe më të qeta dhe të vazhdojnë të punojnë për të rritur fitimet e tyre pa pasur frikë se dikush mund t’i “gjobisë” sipas tekave të kryetarit të bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›