E Diel, 1 Nëntor 2026

Bozdo: Shqipëria pa rezerva sigurie nafte, KLSH të bëjë auditim

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, gjatë interpelancës së zhvilluar sot në Kuvend me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se qeveria ka dështuar që të krijojë rezervat e naftës, pavarësisht detyrimeve ligjore dhe angazhimeve ndaj Bashkimit Evropian dhe agjencive ndërkombëtare të energjisë.

Gjatë deklaratës së tij, Bozdo u shpreh se Shqipëria nuk disponon “asnjë gram” rezervë sigurie të naftës dhe se vendi është i papërgatitur për të përballuar një krizë të rëndë energjetike.

Sipas tij, Shqipëria ka detyrim të mbajë rezerva të barabarta me 61 ditë konsum ose 90 ditë import, por këto angazhime janë shkelur prej vitesh.

“Shqipëria edhe pse ka një detyrim ligjor dhe një detyrim ndaj BE, nuk zotëron sot asnjë gram naftë të rezervës së sigurisë dhe jo më të mendosh ta kemi të disponoheshme për 90 ditë importi. Shqipëria sot zotëron vetëm fjalë dhe është me duar lart para menaxhimit të një krizë shumë të rëndë që nuk varet nga ne por që ka një ndikim shumë të madh në fushën e energjisë”, u shpreh Bozdo.

“Sot ne nuk kemi as rezerva sigurie, as kapacitet për të menaxhuar kriza të tilla dhe as plan emergjence për të furnizuar sektorët jetikë. Kjo nuk është retorikë politike, është konstatim i dhimbshëm i fakteve. Angazhimi i Shqipërisë ndaj ligjit, por edhe ndaj agjencisë ndërkombëtare të energjisë dhe ndaj direktivës së BE-së, është detyrim ligjor për rezervë të barabartë me 61 ditë konsum ose 90 ditë import. Ne i kemi shkelur angazhimet tona. Ministër ju duhet të na tregoni se pse ndodhemi në këtë gjendje”, tha Bozdo.

Bozdo u ndal edhe te projektligji për krijimin e rezervës së sigurisë, duke thënë se drafti ka gjashtë vite që qëndron në sirtarët e qeverisë dhe po rikthehet vetëm tani, kur kriza e çmimeve të karburanteve ka prekur qytetarët.

Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e financimit të rezervës strategjike, teksa shtoi se kostoja do t’u faturohet qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë.

“Në të njëjtën kohë Shqipëria ka njoftuar se është gati projektligji për krijimin e rezervës së sigurisë. Ka 6 vite që qëndron në sirtarët e qeverisë dhe papritur tani që vjen kriza kujtoni që të hidhni përsëri duke u thënë njerëzve që këtë punë do të zgjidhni me anë të këtij projektligji.  Kryeministri pranoi që kemi 6 vite që e mbajmë këtë projektligj, por tani që kriza ka bërë të vetën, dhe që çmimi i karburantit ka vajtur në stratosferë çfarë do të zgjidhë projektligji që do të miratohet, absolutisht asgjë e rëndësishme është të kishim rezervat këtu.

“E dyta, me çfarë do të financimi autoritetin e rezervës së sigurisë. Me modelin që keni paraqitur i bie që do ta financoni me paratë tona. Nuk mjafton fakti që e kemi naftën më të shtrenjtë në botë, por do ti ngarkoni taksapaguesve ve dhe financimin me 300 milionë eurove se kaq do të kushtojë minimalisht mbushja e rezervës së sigurisë pa llogaritur dhe infrastrukturën shtesë”, tha ai.

Gjithashtu Bozdo pyeti ministrin se pse sektori privat nuk ka mbajtur rezervat e detyrueshme prej 90 ditësh.

“Pse talleni me shqiptarë, kur nuk keni zero gram naftë për ta hedhur në treg nëse kohërat bëhen më të vështira”, tha ai.

Bozdo kërkoi që të kryhet një auditim të pavarur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rezervën e sigurisë. Gjithashtu tha se duhet të propozohet një model tjetër për ruajtjen e saj që nuk rëndon xhepat e qytetarëve.

“A bini dakord t’i kërkojmë KLSH të bëjë një auditim të pavarur për rezervën e sigurisë dhe nëse rezulton që kemi 1 gram, do të dal këtu të kërkoj falje. A mund ta autorizojmë KLSH të bëjë auditim ligjor? Ka shumë modele për të mbajtur rezervën e sigurisë. Mos hajdeni këtu me modelin që rëndon 100% xhepat e shqiptarëve. Më e mira është një kombinim i modeleve që shqiptarët të mos paguajnë më për një çmim nafte që është në nivele stratosferike”, tha Bozdo. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›