E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga një të kërkuari në Itali dhe një oficeri policie

Operacioni i koduar “Konfirmimi i rremë”, përfundoi me arrestimin e shtetasit Aleksandër Kolmarku, 53 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë, si dhe të  Gjergj Nikola Tushaj, alias Gjokë Ndue Tushaj, 48-vjeç, banues në Tiranë.

Policia e Shtetit bëri me dije se arrestimi i tyre u bë i mundur në sajë të një hetimi intensiv disa mujor të kryer nga Sektori Kundër Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me njësinë Task Forcë, në  kuadër të zbatimit të një letërporosie të autoriteteve policore italiane për shtetasin Gjergj Nikola Tushaj, (alias Gjokë Ndue Tushaj), i akuzuar nga autoritetet italiane për veprat penale “rrëmbim personi”, “shfrytëzim prostitucioni” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë”.

Nga hetimet e gjithanshme të kryera, rezulton se shtetasi Aleksandër Kolmarku, përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, ka ndihmuar shtetasin Gjergj Tushaj (alias Gjokë Tushaj) që t’i shmanget përballjes me autoritetet italiane të drejtësisë. “Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë në kuadër të këtij hetimi, nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë ndaj këtyre shtetasve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit rreth orës 12.30’, të ditës së sotme njëkohësisht në qytetet e Tiranës dhe të Lezhës”, thekson policia. Materialet procedurale në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë nën akuzën e kryerjes së veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” e kryer në bashkëpunim. /Start/

                                                                                             2012-10-01 16:06
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›