Braçe - Topalli përplasen për përgjegjësinë e Berishës për Gërdecin
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka fshehur dokumentacionin që vërteton se kryeministri Sali Berisha ka qenë në dijeni të Fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Për këtë Braçe iu referua Raportit të dërguar në Kuvend nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. “Në tre volume, të dërguara nga Prokuroria e Përgjithshme e të administruara në Kuvend, në komision gjenden komunikata ditore me të cilat vihet në dijeni Sali Berisha për depozitim të predhave të artilerisë së rëndë për demontim në Gërdec në kundërshtim me VKM-në e marrë dhe firmosur prej tij. Ne e kemi respektuar kërkesën e prokurorisë për ruajtjen e dokumenteve dhe sekretit të hetimit që materializohet mbi to, por kur kryetarja e Kuvendit varros të vërtetën, abuzon e manipulon me dokumentet zyrtare nën administrim, me qëllim favorizimin e tutorit Sali Berisha, kemi detyrën të bëjmë transparencë: Sali Berisha ka qenë në dijeni të plotë të biznesit kriminal në Gërdec. Që prej dhjetorit të 2007-s, Sali Berisha ka qenë në dijeni familjarisht të biznesit kriminal të Gërdecit dhe është marrë çdo ditë me kërcënime e marifete të rënda shtetërore për fshehjen e provave dhe mospublikimin e tyre që lidhnin familjen e tij”, - tha Braçe, i cili akuzoi kryetaren e Kuvendit, Topalli, se ka fshehur dhe manipuluar dokumentacionin në fjalë.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina TOpalli, e cila me anë të zëdhënëses së saj i ka quajtur shpifje deklaratat e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Deklaratat e sotme të Erion Braçes janë vetëm shpifje dhe trillim i radhës i këtij deputeti. Çdo raport i ardhur nga Prokuroria i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores. Nuk ka asnjë dokument që të faktojë se kryeministri i vendit ka qenë i informuar apo ka pasur dijeni për Gërdecin. Kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes në një njoftim shtypi për të njëjtën çështje pak kohë më parë. Dosjet e ardhura nga Prokuroria janë të hapura për çdo deputet që interesohet të dijë të vërtetën”, - tha zëdhënësja Suela Ruseti.
19 Qershor 2008