E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, miratohen objektet që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve

Mijëra hektarë tokë bujqësore dhe objekte gati për kompensimin. Procedura e kompensimit pas ndryshimeve në ligj këtë muaj

Habjon Hasani

Me tre vendime të posaçme qeveria shqiptare ka kaluar disa mijëra hektarë tokë bujqësore dhe disa dhjetëra objekte në pronësi shtetërore gati për t’u dhënë si fond kompensimi për ish-pronarët. Vendimi i parë parashikon një sipërfaqe prej 72 mijë e 891 hektarësh, e cila i ka kaluar në përdorim pushtetit lokal, ndërsa vendimi i dytë parashikon një fond prej 17 mijë e 335 hektarësh, të cilat janë kryesisht tokë bujqësore ose kullota pyjore. Në vendimin e tretë të qeverisë janë parashikuar disa dhjetëra objekte, të cilat do të shfrytëzohen për fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Këshilli i Ministrave miratoi procedurat për ndarjen e fondit për kompensimin financiar për ish-pronarët. Në vendimin e qeverisë parashikohet që të përfitojnë për vitin 2008 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe që nuk kanë përfituar më parë. Kjo shtresë do të kompensohet në bazë të radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Në bazë të vendimit të qeverisë, ish-pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim. Kompensimi do të realizohet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës.
Procedura
Ish-pronarët, të cilët kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do ta paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Ndërsa ish-pronarët të cilët nuk kanë dorëzuar asnjë kërkesë, duhet të plotësojnë dhe të paraqesin pranë zyrës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër kërkesën për kompensim financiar që do ta tërheqin pranë AKKP-së. Gjithashtu duhet të dorëzojnë deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me plan-vendosjen përkatëse. Ish-pronarët duhet të dorëzojnë dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm. Në këtë rast është e nevojshme që të jetë e përcaktuar dhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të individit, prona e të cilit është shpronësuar. Bashkë me këto dokumente është e nevojshme paraqitja edhe e një fotokopjeje të noterizuar të pasaportës, certifikatës së lindjes, ose letërnjoftimit të personit që ka prokurën e përfaqësimit, si dhe mandatpagesën. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale. Procesi i regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon 30 ditë.
Aplikimi

Pas marrjes së dosjes me dokumentacionin e mësipërm, zyra e Agjencisë së Pronave në qendër bashkëpunon me zyrat rajonale të saj në rreth për të verifikuar dosjen e dorëzuar nga ish-pronari. Më tej zyra rajonale e pronave verifikon dosjen dhe vendimin e dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Kjo zyrë ka të drejtë të kërkojë nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që brenda 10 ditëve të konfirmojnë të dhënat për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit. Po kështu verifikohet dhe ndryshimi i gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës. Verifikohet regjistrimi dhe ushtrimi i së drejtës së parablerjes. Verifikohen në database të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të tij. Kryhen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës. Në procesverbal përcaktohet vendndodhja në hartë e pronës dhe përcaktohet bashkë me pronarin 200 metra katrorë e kësaj prone për të cilën ky pronar do të marrë kompensim financiar, dhe ish-pronari nënshkruan për pjesën e tokës që do kompensohet. Më pas llogaritet vlera e sipërfaqes që kompensohet dhe përgatitet një relacion shpjegues. Më pas i gjithë ky material shqyrtohet nga Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër, e cila përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës dhe nxjerr vendimin për kompensim ose jo të subjektit të shpronësuar.

Aplikimi, ish-pronarët, afat deri në fund të 2008-s

Që prej datës 15 maj 2008, të gjithë ata pronarë që duan kthim e kompensim për tokat e zëna mund të depozitojnë dokumentacionin në zyrat e komisioneve të pronës. Me firmosjen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të ndryshimeve në ligjin e pronës, pronarët nuk do të sorollaten më, por mund të depozitojnë dokumentacionet për të rifituar pronat apo kompensimin për to. E drejtë kjo që u është mohuar që nga 31 tetori i vitit të kaluar, kur skadoi afati i pranimit të dokumentacionit. Pra që nga data 1 maj pronarët do të kenë tetë muaj kohë për të përgatitur dosjet dhe për t’i dorëzuar në të gjitha komisionet e pronës. Në bazë të ndryshimeve ligjore të firmosura nga kreu i shtetit, pronarët do të kenë mundësi që të dorëzojnë dokumentacionin deri më 31 dhjetor 2008. Komisionet e tokës do të jenë të hapura për të pritur të gjitha dokumentet. E mbas kësaj date do të vijohet me procedurat e kthimit e kompensimit. Çdo subjekt, në momentin e paraqitjes së kërkesës, do të pajisjet me numrin e dosjes përkatëse, si dhe do të ketë konsultimin e ekspertëve të komisioneve përkatëse. Në çdo rast lihet e hapur mundësia e paraqitjes së një ankese në Agjencinë Qendrore në vend. Fundi i këtij viti (2008) do të jetë dhe afati maksimal për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e pronës. Në ligjin që ka marrë dhe firmën e presidentit saktësohet se çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtën deri më 31 dhjetor për të plotësuar dosjen. Ndërsa Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka detyrimin për të plotësuar kërkesat mbi të gjithë procedurën, si për njohjen, ashtu dhe për rikthimin e së drejtës. Subjektet do të kenë të drejtën të plotësojnë dosjen deri më 31 dhjetor, më pas bllokohen proceset. Sipas përcaktimeve ligjore, agjencia rajonale duhet të japë një vendim mbi kërkesën brenda 45 ditëve. Nëse ky afat nuk sjell një vendim, çështja i kalon Agjencisë Qendrore. Ndërsa nisja e procesit të kompensimit do të jetë në varësi të realizimit të hartës së tokave të lira, si dhe të procesit për kompensimin financiar. Për këtë çështje qeveria detyrohet që brenda 6 muajve të paraqesë hartën e tokave të lira që do të shërbejnë për kompensimin.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›