Indiferenca e qeverisë, shpërthejnë tri greva urie
Shaban Sulçe
Shpërthejnë grevat e urisë në të gjithë Shqipërinë. Kriza dhe paaftësia qeveritare për zgjidhjen e problemeve ka bërë që vetëm gjatë 24 orëve qeveria të përballet me tri protesta të llojit ekstrem, të cilat shtrihen që nga godina e Kryeministrisë dhe deri në të gjithë Shqipërinë. Grevës së urisë së punëtorëve të Gërdecit dhe punëtorëve të Ujësjellësit në Tropojë, i është bashkangjitur edhe greva e urisë që u shpall dje nga Sindikata e Minatorëve. Megjithatë, qeveria vazhdon t’i trajtojë këto greva me indiferencë. Ajo vazhdon ta mbajë veshin e shurdhët dhe jo më të ndërhyjë me zgjidhje konkrete për të plotësuar dhe zgjidhur kërkesat e grevistëve.
Punëtorët e Gërdecit
Grevistët, ish-punëtorë të fabrikës së demontimit, “Alba Demil” në Gërdec, në ditën e tyre të 13-të të grevës së urisë e kanë zhvendosur grevën e tyre pranë godinës së Kryeministrisë, me shpresën që kryeministri Berisha t’u kthejë përgjigje në lidhje me kërkesat e tyre. Por edhe dje nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria dhe të pranishëm kanë qenë vetëm forcat e policisë, të cilët nuk lejuan ngritjen e çadrave ku do të strehoheshin grevistët e urisë. Gjendja e grevistëve ka qenë tejet e rënduar, madje për 5 prej tyre është dashur ndërhyrja urgjente për t’i dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Me grevistët janë solidarizuar lëvizja “MJAFT”, G99-a dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Aktivistët e “MJAFT”-it e quajtën të turpshëm reagimin indiferent të qeverisë. Ata kanë komunikuar disa herë me zyrtarë të Kryeministrisë për të siguruar një takim për të negociuar për grevën, por si përgjigje kanë marrë vetëm fjalët: “Kryeministri është i zënë, sapo të lirohet do t’ju njoftojmë”.
Reagim ka pasur edhe nga grupimi politik “G99”, i cili deklaroi: “Sot grevistët dhe ne bashkë me ta nuk jemi mbledhur për t’i kërkuar kryeministrit as fitimet e Shkëlzenit nga Gërdeci, as pasuritë e Argitës nga licencat, as pronat e dhëndrit në bregdet dhe asnjë pronë apo pasuri tjetër të paligjshme të nipërve, mbesave, kunetërve e baxhanakëve të tij. E vetmja gjë që kërkojmë është që kryeministri dhe qeveria e tij të tregohen të njerëzishëm e dyfish të gatshëm për t’iu gjendur pranë këtyre banorëve me përkushtim të sinqertë për të plotësuar kërkesat e tyre si çdo qeveri që kujdeset për shtetasit e saj dhe për më tepër si një qeveri që mbart mbi vete përgjegjësinë e kësaj tragjedie aspak të rastësishme”.
Reagim kundërshtues ndaj indiferencës së qeverisë ka pasur edhe nga LSI-ja. Deputeti Dritan Prifti, gjatë bisedave me minatorët, ka shprehur mbështetjen që LSI-ja ka siguruar dhe vazhdon të japë për çështjen e tyre si dhe ka kritikuar rëndë indiferencën e qeverisë aktuale. Ai ka cilësuar si të papranueshëm faktin që qeveria as ka denjuar të ulet në tavolinë me minatorët dhe që ajo nuk ka asnjë zgjidhje për ta. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besian Pesha, iu drejtua grevistëve duke u thënë: “Është e paimagjinueshme që ndërsa ju po luftoni për së dyti me vdekjen duke sfiduar urinë përsëri, ashtu si herën e parë, veshët e Sali Berishës janë të dyllosura”.
Greva në Tropojë
Punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Tropojë kanë hyrë në ditën e katërt të grevës së tyre. Rreth 50 punonjës të kësaj ndërmarrjeje janë detyruar të protestojnë për shkak të mospagimit të rrogave të tyre prej tre muajsh, ndërkohë që qeveria dhe autoritetet vazhdojnë të injorojnë kërkesat e tyre. Pas grevave njëorëshe që zgjatën për një javë, punëtorët kanë filluar grevat ditore duke kërcënuar me përshkallëzim të tyre. Kërkesa kryesore është marrja e pagës që prej 3 muajsh nuk u jepet. Në kërkesat e punonjësve të Ujësjellësit janë shtruar dhe pika të tjera si pagesa e sigurimeve shoqërore, sigurimi i transportit dhe pajisja me mjetet e nevojshme për punë.
Sindikata e Minatorëve
Dhjetëra minatorë të minierave të Tiranës protestuan dje përpara godinës së Kryeministrisë, ndërkohë që po dje ata shpallën fillimin e grevës së urisë, si shenjë proteste ndaj qëndrimit indiferent të qeverisë ndaj kërkesave të tyre. Që nga dita e djeshme 15 punëtorë janë ngujuar në grevë urie, ndërkohë që përfaqësuesit e Sindikatës së Minatorëve paralajmëruan se grevat e urisë do të zgjerohen edhe me ngujimin e minatorëve të Kukësit dhe Pogradecit. Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Minierave, Fiqiri Xibra, tha se kërkesat e minatorëve kanë të bëjnë me statusin e minatorit si dhe me nismën e ndërmarrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në lidhje me verifikimin e pensioneve të minatorëve.
19 Qershor 2008