Ish-pronarët: “Ligji nuk i favorizon të drejtat tona”
Pronarët e ligjshëm të tokave përshëndetën pak kohë më parë vendimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kthimin në Kuvend të ndryshimeve që iu bënë ligjit të legalizimeve. Por, nga ana tjetër, ata nuk janë aspak të kënaqur me ligjet në fuqi, si për pronat, ashtu dhe për legalizimet, duke kërkuar ndryshim rrënjësor të tyre. Nënkryetari i shoqatës "Pronësi me drejtësi", Ahmet Sulstarova, është deklaruar se ndryshimet që bën politika në ligjet e pronës nuk janë në favor të pronarëve, përkundrazi, i diskriminojnë gjithnjë e më shumë ata. Pronarët kërkojnë ndryshime kushtetuese, ndërkohë që presin nga Gjykata Kushtetuese që të dalë me një vendim për ankesat që ata kanë bërë kundër ligjit të pronave dhe atij për legalizimin e zonave informale. Ish-pronarët e shohin me skepticizëm ligjin që ka të bëjë me legalizimin e zonave informale. Rreth një muaj më parë, ndërsa po shqyrtohej ligji i ri “Për Legalizimet”, ish-pronarët paraqitën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese disa kërkesa për t’u marrë parasysh, por deputetët i injoruan ato. Shoqata “Pronësi me drejtësi” kërkoi që subjektet e shpronësuara të kenë të drejtë të ankohen në gjykatë në rast se nuk bien dakord me kompensimin financiar apo fizik për pronat e tyre. Njëkohësisht ata kërkuan që ligji të ketë një faturë financiare për të gjithë procesin në mënyrë që Kuvendi të njihet me koston.
19 Qershor 2008