E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genc Ruli kundërshton rritjen e taksave



Ministri i Ekonomisë e shikon me shqetësim propozimin e Ministrisë së Financave për rritjen e taksave vendore. Në letërkëmbimin që i bashkëlidhet vendimit të qeverisë, ministri Ruli shpjegon se rritja e taksave do të ndikojë negativisht në zhvillimin e biznesit. “Ky projektligj parashikon një rritje të madhe të nivelit të taksave vendore në përgjithësi, e cila ndikon negativisht në drejtim të zhvillimit të biznesit dhe investimeve. Konkretisht, nëse konsiderojmë nivelet e taksave për Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit, taksa për ndërtesat e banimit të ndërtuara para vitit 1991 rritet me 300%, ndërsa për ndërtesat brenda Unazës kjo taksë rritet me 430%. Në projektligj është vendosur gjithashtu dhe një taksë mbi truallin, e cila nuk shpjegohet se në çfarë niveli do të aplikohet në 22 apo 30 lekë/m2, ndërkohë që nuk shpjegohet se si do të përllogaritet kjo taksë në rastin e truallit të ndërtuar. Nga ana tjetër, taksa e ndërtesave që përdoren për tregti dhe shërbime rritet me 200%, një rritje e konsiderueshme për biznesin”, - shkruan ministri Ruli. Përsa i përket rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, Ruli shkruan se kjo ndikon negativisht drejtpërdrejt në zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe në rritjen e çmimeve të shitjes së ndërtesave. Pikërisht për këtë arsye ministri i Ekonomisë propozon që kjo taksë të mbetet në nivelin ekzistues 1-4% të vlerës së investimit.
Në përgjigje të vërejtjeve të ministrit të Ekonomisë, në relacion sqarohet se niveli i rritjes së taksave vendore është bërë në bazë të konkluzioneve të një grupi pune për decentralizimin në të cilin kanë qenë përfaqësues nga shoqatat e bashkive, Bashkia e Tiranës, Ministria e Financave dhe nga kabineti i kryeministrit. Rritja është bërë në bazë të analizës së tregut të çmimeve të pasurisë së paluajtshme, si dhe në bazë të thellimit të procesit të decentralizimit fiskal për organet e qeverisjes vendore.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›