E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon referendumin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën për referendum të depozituar nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. 

Aristir Lumezi

Me 8 vota kundër dhe një pro, anëtarët e KQZ-së e konsideruan jo kompetencë të tyre shqyrtimin e një kërkese që, sipas tyre, kërkon zhvillimin e një referendumi kushtetues. Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës e cilësoi vendimin e KQZ-së dhunim të së drejtës popullore. “Është një dhunim i së drejtës së sovranitetit popullor për të ushtruar nëpërmjet referendumit të drejtën e demokracisë direkte. Ky është një skandal i madh. Jemi në paradhomën e një fashizmi”, tha Zheji. Mbledhja e djeshme e KQZ-së është shoqëruar me diskutime të ashpra, ku drejtuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës kërkuan nga anëtarët e institucionit qendror zgjedhor paanshmëri në gjykim dhe në vendimmarrje. “Unë do të doja që në këtë moment shumë të rëndësishëm historik, ky komision të merrte anën e lirisë. Ky komision e ka këtë shans për t’i treguar edhe shqiptarëve që, ekzistojnë në Shqipëri institucione të pavarur krejtësisht larg presioneve politike”, iu drejtua Andrea Stefani, anëtarëve të KQZ-së. Të tetë anëtarët e KQZ-së që rrëzuan kërkesën për referendum në unison, e argumentuan vendimin e tyre si mungesë e kompetencave të institucionit që përfaqësonin pranimin e kësaj kërkese. Sipas tyre, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës duhet t’i drejtohet vetëm Gjykatës Kushtetuese ose Kuvendit të Shqipërisë, pasi kërkesa e tyre ka të bëjë me një referendum kushtetues dhe jo të përgjithshëm. Vetëm një nga 9 anëtarët e KQZ-së votoi pro kërkesës për referendum. Genti Shala i kërkoi anëtarëve të tjerë të KQZ-së të pajisin Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës me formularët e kërkuar dhe mbi bazën e tyre komisioni të gjykojë vlefshmërinë e këtij procesi. “Ne, bazuar në nenin 127, nuk kemi të drejtën e vendimmarrjes, siç e kemi në nenin 128. Ne sot duhet absolutisht të japim formularët, të krijojmë mundësinë që të mbledhin ato firma. Në rast se i mbledhin, ne do i trajtojmë me një tjetër cilësi, atëherë këto janë populli. Prandaj, unë ftoj kolegët e mi që mos ta kapërcejnë këtë limit procedural që është”, u shpreh Shala. Por i këtij mendimi nuk ishte as kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata. Sipas Gjatës, nuk është nën juridiksionin e KQZ-së shqyrtimi i një kërkese për referendum kushtetues. “Në këtë formë që është formuluar kërkesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jashtë juridiksionit të vet në këtë çështje. Nga ana procedurale mendoj se duke u bazuar në nenin 177 të Kushtetutës, kërkesën për referendum kushtetues KQZ-së duhet t’ia sjellë sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, me kërkesën e 28 deputetëve të Kuvendit”, tha Gjata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›