Braçe: Argita Malltezi gënjeu, ja dokumentet
TIRANË- Partia Socialiste nëpërmjet nënkryetarit të grupit të saj parlamentar Erion Braçe i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha dhe vajzës së tij Argita Malltezi, që të gjitha faktet që disponojnë për çështjen “Fazlliç” t’ia bëjnë të njohura organit të akuzës dhe jo publikut. Vetëm në këtë mënyrë, ka theksuar Braçe, do të kishin vlerë deklarata dhe të dhënat e publikuara dy ditë më parë nga Argita Malltezi. Duke marrë shkas pikërisht nga përmbajtja e kësaj deklarate dhe distancimit të saj nga implikimi në afera korruptive në favor të sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, numri dy i grupit socialist Erion Braçe ka paraqitur para gazetarëve disa dokumente me të cilat pretendoi të vërtetojë se vajza e kryeministrit nuk ka thënë gjithë të vërtetën. “Të gjitha dëshmitë vullnetare dhe të ligjshme duhen adresuar atje në prokurori dhe jo në shtëpi, as në studion legale, as në studion qeveritare. Argita Berisha dëshmoi se nuk ka ofruar shërbime ligjore për tendera apo shërbime publike ndaj zotit Damir Fazliç. Dua të them se askush nuk ka folur për tendera dhe degdisja e dëshmisë këtu është thjesht devijim nga e vërteta dhe nga thelbi i akuzës”, - tha Braçe. Kështu, sipas tij, ish-ortakja e Argita Malltezit, avokatja Flutura Kola është nën dyshime të forta të jetë përfshirë dhe më pas të ketë ofruar shërbime ligjore Fazliçit në një skemë klasike të pastrimit të parave, në trajektoren Qipro-Tiranë në vlerën 1.7 milionë euro. “Alibia e zgjedhur për të fashitur dyshime se si një kompani pa asete u shit 1,7 milionë euro duke servirur toka si aset ka rënë që kur kompania është shitur në qershor dhe kur toka është blerë 2 muaj më pas në gusht. Megjithatë, alibia vlen për të verifikuar në përputhje me ligjet në fuqi aktet e blerjes apo shitblerjes së tokave, apo shitjen e tokës bujqësore të huajve siç është dhe serbo-boshnjaku Damir Fazliç”, - theksoi më tej Braçe. Në përgënjeshtrim të asaj çka tha dy ditë më parë Argita Malltezi, Braçe demonstroi para mediave dokumentin ku avokatja Flutura Kola merr prokurë të posaçme për shitjen e kompanisë, Croën Acquisition tek Altaria Research. Gjithashtu ai ka theksuar se avokatja Flutura Kola ka ofruar shërbimet ligjore edhe për marrjen e parkut të Porto Romanos nga Rompetrol Albania, ku Fazliç është një nga aksionerët kryesorë. “Dua t’u them se Flutura Kola në 8 maj të vitit 2007 ka marrë prokurë të posaçme si përfaqësuese ligjore për kompaninë Rompetrol Albania, kompani ku Fazliç dhe kryetari i bordit të kompanisë BG&R, Ed Rogers kanë 40% të aksioneve dhe që rezulton përfituesja direkte nga vendimi i Berishës për të ndërtuar në tokën e tyre një TEC dhe aksesorë të tjerë energjetik“, - tha Braçe duke treguar prokurën përkatëse. Ai ka përgënjeshtruar Malltezin edhe përsa i përket lidhjeve të ekspertes kontabël, Shpresa Breçani me kompanitë e Damir Fazlliç, duke vërtetuar të kundërtën. Nisur nga rëndësia që kanë të gjitha këto fakte në këtë proces, Braçe i ka bërë thirrje kryeministrit që heqë dorë nga presioni ndaj prokurorisë në mënyrë që ti lejë mundësi asaj që të bëjë punën e vet.